Ndërlidhjet

Maqedoni: Gratë marshuan për të drejtat e tyre


Protestë në Maqedoni, 8 mars 2018
Protestë në Maqedoni, 8 mars 2018

Në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe qytete të tjera të Maqedonisë, gratë kanë marshuar, duke kërkuar që barazia gjinore të zbatohet në praktikë dhe jo të mbetet si rregullativë ligjore vetëm në letër.

“Nuk duam lule duam barazi”, ishte motoja me të cilën qindra gra marshuan në qytetin e Tetovës. në organizim të iniciativës për barazi gjinore dhe forumi i gruas në këtë qytetet.

Xhane Kreshova nga organizata që në fokus ka të drejtat e grave, që vepron në rajonin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë thotë se femra shqiptare edhe pse tani gjithnjë e më shumë po arrin të shkollohet dhe të ketë një përgatitje profesionale, karriera e saj varet ende nga vullneti i burrit që ka përkrah.

8 mars, 2018
8 mars, 2018

Kreshova thotë se pabarazia gjinore ka kosto të lartë për zhvillimin e proceseve demokratike në shoqërinë shqiptare në Maqedoni.

“Ne duam ta ngremë vetëdijen tek gjinia femërore, ta ‘zgjojmë’ gruan shqiptare sepse ajo më shumë i jep rëndësi traditës familjare dhe pajtohet ta udhëheq gjinia mashkullore dhe nuk lufton që të jetë e barabartë në ushtrimin e detyrave dhe privilegjeve”.

“Do të kalojë edhe një kohë e gjatë derisa ne te kemi një grua të emancipuar shqiptare. E them këtë sepse edhe femrat të cilat mbarojnë arsimimin e lartë kur është në pyetje punësimi, apo ngritja profesionale, ato janë të varura nga vullneti apo leja që do të duhet të marrin nga bashkëshorti i tyre”, thotë Xhane Kreshova.

Ndërkaq, Lindita Emërllahu nga organizata e grave “Adrion”, e cila njëherësh është dhe pedagoge në një shkollë të mesme, thotë se shkollat duhet të organizojnë më shumë aktivitete edukative për ndërgjegjësimin e vajzave dhe djemve për barazinë gjinore, një projekt që tanimë ajo e ka iniciuar me nxënësit e shkollave të mesme.

“Ky inkuadrim i të rinjve ka të bëjë me procesin e ndërgjegjësimit të tyre për arritjen e barazisë gjinore. Në këtë rast, përmes projektit në shkollën tonë synojmë që edhe ata të sensibilizojnë opinionin publik”.

“Ku lloj ndërgjegjësimi (për barazi gjinore) krijon një hapësirë të sigurt për hapjen e debateve të munguara dhe pse jo që këta nxënës kur të rriten dhe të krijojnë familjen e tyre, të kenë familje të shëndosha”, thotë Lindita Emërllahu.

Ndërkaq, gratë në qytetin e Shkupit, të cilat marshuan nën moton “Për të drejtat e grave”, kanë theksuar se në përgjithësi mentaliteti është i tillë që pak u besohet aftësive të grave në ushtrimin e profesioneve të ndryshme, ndërkohë që pozitat udhëheqëse kryesishtmbeten në duart e burrave.

“Tridhjetë mijë femra mbeten të anashkaluara nga vendet e punës dhe nga vendet udhëheqëse të institucioneve shtetërore”, thekson Shefka Iliq, aktiviste për të drejtat e grave.

“Femra duhet ta ketë pozitën e saj të merituar në politikë. Tani është burri ai që përcakton rolin e saj në politikbërje. Kjo nuk paraqet barazi gjinore”, thotë Gjyla Çeliku, aktiviste për të drejtat e grave.

“Duhet të bashkohen gratë e të gjitha organizatave, që janë pjesë e politikëbërjes, për të ngitur statusin e saj në shoqëri. Pozita e saj është shumë larg të qenit e barabartë në vendimmarrje”, ka thënë Elena Jovanovska-Grujovka, përfaqësuese e organizatës së grave në Shkup.

Gjatë protestave është kërkuar që të zhvillohen më shumë debate, ku hapur do të denoncohej dhuna që ushtrohet ndaj femrave në shumë forma .

Në marshin për barazi gjinore në Shkup ka marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev si dhe disa ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG