Ndërlidhjet

Maqedoni: Paratë e fituara kundërligjshëm t'i kthehen popullit


Ilustrim
Ilustrim

“Nuk mjafton që pas grilave të futen ata, të cilët kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke krijuar pasuri marramendëse, por lufta kundër korrupsionit mund të themi se është në binarë të duhur vetëm nëse shteti arrin të krijojë mekanizma efikas që paratë e vjedhura, të kthehen si të mira materiale për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, u tha gjatë prezantimit të rezultateve të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian në Maqedoni, për përforcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Paratë e vjedhura vështirë kthehen në duar e qytetarëve dhe kjo tregon se sistemi është jofunksional, institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar krimin duhet të tregohen më kreative që t’i mbyllin vrimat ligjore, tha Andrea D Axhelo, drejtues i projektit.

“Për t`iu kthyer, le të themi 10 milionë euro pronë e fituar në mënyrë të paligjshme nga ana personave të caktuar, në duart e qytetarëve, atëherë duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur të gjitha institucionet, të cilat janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kriminelët nuk do të inkurajohen për të bërë vepra kriminale nëse ata do të duhet vetëm të vuajnë dënimin me burgim për një kohë të caktuar, ndërkohë që kapitali i tyre mbetet i paprekur”, tha D Axhelo.

Ndërkaq, Jaromir Leviçek, përfaqësues i delegacionit të Bashkimit Evropian tha se Brukseli e mbështet Maqedoninë në realizimin e reformave, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me rritjen e kompetencave dhe mekanizmat vepruese të Agjencisë që menaxhon pronat e konfiskuara.

“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në ndihmë drejtuar institucioneve të sistemit gjyqësor që të realizojnë sa më parë reformat. Kjo do të ndihmojë që institucionet të mund të veprojnë në kohë të duhur. Konfiskimi i pasurisë është njëra ndër strategjitë kryesore të BE-së në luftën kundër krimit të organizuar. Është njëra ndër pikat e brendshme të strategjisë evropiane për siguri, e konfirmon nevojën për kthimin dhe menaxhimin e pasurisë dhe t’i godasim kriminelët aty ku u dhemb më së shumti”, theksoi Leviçek.

Në këtë drejtim, drejtori i Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar është ankuar se institucioni që ai drejton, për shkak të proceseve të stërzgjatura gjyqësore nuk mund ta shesë ose vërë në shërbim të institucioneve pronën e konfiskuar.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Olive Spasovski, është zotuar se rekomandimet e projektit në fjalë do të shërbejnë si udhërrëfyes për realizimin efikas të reformave në pjesën që ka të bëjë me përforcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kërkohen nga Brukseli zyrtar për të përshpejtuar ecjen e Maqedonisë drejt integrimit në BE.

“Pres që të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjeve në pjesën që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht tani që jemi të motivuar në prag të fillimit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian që ta kuptojnë përgjegjësinë që kanë dhe të bëhemi sa më efikas dhe të vendosur në luftën kundër korrupsionit”, tha Spasovski.

Ndryshe, projekti i cili është financuar nga Bashkimi Evropian gjatë 18 muajve në periudhën kohore nga dhjetori i vitit 2016 deri në qershor të vitit 2018, ka për qëllim të mbështesë përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e kapaciteteve teknike, si dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Realizimi i këtij projekti ka nxjerrë në pah se me rëndësi kruciale është krijimi i mekanizmave funksionalë për ngrirjen dhe konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme, duke e vënë në funksion të qytetarëve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG