Punëtorët në Maqedoninë e Veriut hezitojnë t'i denoncojnë rastet e ngacmimeve dhe presionit psikik në vendin e punës, thonë sindikalistët. Sipas tyre, rastet e dhunës psikike është shumë vështirë të arrijnë të dëshmohen në organet e drejtësisë.
Sindikalistët theksojnë se nevojitet një edukim dhe informim gjithëpërfshirës që punëtorët ta njohin presionin psikik dhe tē mos hezitojnë ta denoncojnë atë në organet kompetente.
“Tashmë janë hapur SOS-linja në mbështetje të viktimave të ngacmimeve psikologjike në vendin e punës. Punëtorët shumë pak janë të informuar për të drejtat e tyre për sa i përket presionit psikologjik, aq më pak dinë se ku duhet denoncuar atë”, thotë Divna Zmejkovska, kryetare e Sindikatës për të drejtat e grave, e cila ka organizuar dhe një seminar ndërkombëtarë për të ngritur vetëdijen e sindikalistëve për këtë çështje.
Duke cituar të dhënat nga Agjencisë Informative, Zmejkovska thekson se gjatë pesë vjetëve të fundit janë iniciuar vetëm 70 raste që kanë të bëjnë me ngacmimin psikologjik në vendin e punës në gjykatat e vendit. Nga rastet e paraqitura, 26 prej tyre janë refuzuar si të pabaza në mungesë të provave dhe 14 të tjera palët i kanë tërhequr gjatë procesit gjyqësor.
Avokatja Daniella Vellkovska-Bujarovska thotë për Radion Evropa e Lirë se rregullativa ligjore duhet plotësuar në mënyrë që ngacmimi dhe presioni psikik në vendin e punës të mund të dëshmohet më lehtë. Ajo shpjegon se deri më tani edhe ato pak procese gjyqësorë që janë iniciuar, janë tërhequr për shkak të vështirësive për të dëshmuar atë.
“Ligji aktual, me anë të të cilit punëtorët duhet të mbrohen nga mobingu [ngacmimi dhe presioni psikik], është jo funksional dhe për këtë nevojitet plotësimi i tij, me të cilin do të mundësohet mbrojtje efikase nga ngacmimi psikik në vendin e punës.
E them këtë pasi si juriste, personalisht personalisht, jam përballur me shumë probleme gjatë mbledhjes së dëshmive për praninë e dhunës psikologjike ndaj të punësuarve”, thekson avokatja Daniella Vellkovska-Bujarovska. Në bazë të nenit 6 të Ligjit për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës, ndalohet çdo lloj ngacmimi psikologjik në vendin e punës.
Çka thotë ligji?
Në nenin 6 të këtij ligji, theksohet se “çdo sjellje negative nga një individ ose grup që përsëritet shpesh (të paktën për një periudhë prej gjashtë muajsh), dhe është shkelje e dinjitetit, integritetit, reputacionit dhe nderit të të punësuarve dhe shkakton frikë ose sjellje armiqësore, degraduese ose ofenduese, qëllimi përfundimtar i së cilës mund të jetë përfundimi i marrëdhënies së punës ose largimi nga puna”, konsiderohet ngacmim psikik në vendin e punës.
Sindikalistët theksojnë se ngacmimi psikik në vendin e punës, qoftë nga punëdhënësit apo nga vetë kolegët, e ulë produktivitetin në punë, andaj duhet gjetur mekanizma efikasë ligjorë për mbrojtjen e punëtorëve nga shqetësimi psikologjik në vendin e punës.
Si problematike sindikalistët theksojnë edhe kapacitetet e pamjaftueshme në institucione, si dhe mungesën e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave kompetente për t'i mbrojtur punëtorët në vendin e punës.