Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur të hënën, ka miratuar vendimin për t’i kërkuar Kuvendit ndryshimet kushtetuese, që janë pjesë e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, të njohur si Marrëveshja e Prespës.
Me ndryshimet kushtetuese, që duhet të miratohen bazuar në Marrëveshjen me Greqinë, emri i shtetit ndryshohet nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë Veriore.
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakoski theksoi se ndryshimet kushtetuese përfshijnë edhe ndryshimin e preambulës së Kushtetutës.
Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen me dy të tretat në Kuvend.
Zëdhënësi Boshnjakoski, megjithatë nuk precizoi nëse shumica parlamentare ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve, aq sa nevojitet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Ndërkaq, sot përmes një letre të hapur, lideri i opozitës Hristijan Mickovski i është drejtuar kryeministrit Zoran Zaev, duke i thënë se ai i frikësohet zgjedhjeve. Prandaj, sipas tij, kreu i qeverisë, nuk u është përgjigjur kërkesave të partisë VMRO-DPMNE, të prezantuara gjatë ditës së diel.
“E para, përmes mospranimit të propozimit dhe heshtjes së tij për formimin e një prokurorie të pavarur, ai është bërë mbrojtës i krimit, padrejtësisë dhe moszbatimit të ligjit në këtë shtet. E dyta, me atë që nuk largohet nga Marrëveshja e dëmshme, Zaev nuk e respekton vullnetin e qytetarëve dhe mesazhin e tyre në referendum. Marrëveshja përmes së cilës Zaev dëshiron ta shtyjë me zor shtetin dhe popullin, është tentim për të shpëtuar karrierën e tij dhe për të ikur nga përgjegjësia".
"Dhe e treta, me mospranimin e propozimit që ia dhashë, Zaev dhe qeveria tregojnë se frikësohen nga zgjedhjet fer dhe demokratike, pasi e dinë se populli do ta bëjë të veten dhe do të mposhten”, ka shkruar në letrën e hapur Mickovski, të cilën e ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Reagimit të Misckoskit i është përgjigjur partia e kryeministrit Zoran Zaev, Lidhja Socialdemokrate. Në këtë parti thonë se populli e ka shumë të qartë se çka po kërkon lideri i VMRO-së, Mickovski.
“Miskovski dëshiron amnisti për Nikolla Gruevskin”, thuhet në reagimin e socialdemokratëve ku nënvizohet se VMRO-DPMNE-ja synon që Maqedonia të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe BE.
LSDM-ja ka porositur drejtuesit e VMRO-DPMNE-së se nëse ata me çdo kusht synojnë të bllokojnë procesin, atëherë alternative e pashmangshme mbetet organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.
Njohësit e çështjeve politike thonë se partia opozitare, VMRO-DPMNE duket se nuk është e interesuar që të arrijë marrëveshje me pushtetin për të kaluar ndryshimet kushtetuese, që janë të nevojshme për jetësimin e Marrëveshjes për emrin.
Bashkim Selmani, ligjërues në Universitetin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë thotë kërkesat e VMRO-DPOMNE-së janë më shumë kushtëzim për të bllokuar procesin, sesa kërkesa që i hapin rrugë zgjidhjes së problemit të ngërçit politik, në të cilin ndodhet Maqedonia.
“Në kërkesat e VMRO-DPMNE-së unë nuk shoh asnjë ofertë për zgjidhje politike, ose juridike. Kërkesat VMRO-së nuk janë për të zgjidhur, por për ta komplikuar situatën, si në aspektin politik ashtu edhe atë juridik”.
“Nëse shkohet në zgjedhje pa u arritur një marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, nuk mund të presim që të zhbllokohet procesi sepse nga presidenti i shtetit, Gjogje Ivanov është e pritshme që të mos e japë mandatin për formimin e qeverisë. Dhe realisht Maqedonia në atë rast do të futej në një fazë të re të papranueshme. Është fakt se ndikimi rus e ka çorientuar Maqedoninë dhe nuk besoj se vendi do të mund ta kapë sërish hapin në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, thotë Selmani.
Politologu Nenad Markoviq konsideron se kushtëzimi që ka bërë VMRO-ja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi kryeministri Zaev të heqë dorë nga Marrëveshja me Greqinë, është i pakuptimtë në momentin që qendrat vendimmarrës e kanë bërë të qartë vendimin e tyre se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është rruga e vetme që e çon Maqedoninë në NATO dhe BE.
“Mendoj se nuk duhet të shkohet aq larg me analizat që të shpallet VMRO-DPMNE se është parti pro-ruse. Por, ashtu siç largohet nga pozita të cilën e proklamon se është për integrimin e vendit në NATO dhe BE, kësaj parti përkatësisht, VMRO-DPMNE tani e tutje gjithnjë e më shumë do t’i ngjitet etiketa se është parti ruse sepse kjo parti po pengon integrimet euroatlantike”, thotë Markoviq.