Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut heq kufizimet e çmimeve


Produktet në një dyqan në Shkup.
Produktet në një dyqan në Shkup.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nga 1 qershori ke hequr të gjitha masat që kishin të bëjnë me kufizimin apo ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

Vendimi për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë të ushqimit ishte miratuar më 1 mars dhe kryesisht kishte të bënte me uljen e çmimit të bukës në 0.50 euro nga rreth 1 euro sa shitej para masës së Qeverisë.

Përveç bukës, ishin ngrirë edhe çmimet për shumë produkte të tjera, si mielli, sheqeri, vaji, fasulet, qepët, frutat e perimet etj.

Në ditën e parë të hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë për heqjen e kufizimit, çmimi i bukës nuk ka ndryshuar.

“Çmimi i bukës do të mbetet i njëjtë. Ajo do të vazhdojë të shitet me 33 denarë (0.50 euro) dhe mbase mund të ketë tendencë për ulje të mëtejmë të çmimit të saj. Çmimet nuk do të rriten, sepse çmimet e energjisë elektrike, naftës, lëndëve të para janë ulur në masën e 50 për qind. Gjatë këtyre dy muajve, derisa ishin në fuqi masat, sektori i bukës ka pësuar humbje të mëdha që arrijnë në rreth 50 mijë euro për furrat e vogla dhe mbi 300 mijë euro për furrat e mëdha”, ka bërë të ditur shoqata e prodhuesve të bukës.

Por, qytetarët nuk besojnë shumë në premtimet e tregtarëve dhe druajnë se vendimi i Qeverisë do të rikthejë sërish çmimet e vjetra.

“Do të shohim se si do të jetë tregu. Presim rritje të çmimeve, por jo në masë të madhe, pasi besoj se s’ka ku të shkojë më shumë sesa që janë tani. Nëse vazhdon trendi i rritjes s’do të ketë kush të blejë. Me të ardhurat që marrim nuk po arrijmë të sigurojmë as gjërat më elementare për jetë”, thotë Nikolla Stojçev, punonjës në sektorin e ndërtimtarisë.

“Edhe sikur ti lirojnë do të jetë e kotë, pasi nuk do të ndikojë asgjë duke marrë parasysh pensionet që marrim. Ne nuk po mundemi as ilaçe të blejmë. Po mundohemi të sigurojmë bukë dhe ca gjëra më elementare, aq sa për të mbetur gjallë”, thotë Elena Dimova, pensioniste’.

“Është e pamundur të ketë ulje të çmimeve, përkundrazi varfëria do të jetë akoma më e thellë, do të kemi përkeqësim, ngritje të reja të çmimeve”, thotë Xhemo Haris, punonjës në një ndërmarrje elektrike në Shkup.

Nga Lidhja e Sindikatave kërkojnë nga Qeveria kontrolle që të mos ketë abuzime me çmimet nga ana e tregtarëve pasi kjo do të godiste edhe më shumë standardin e qytetarëve.

“Tregtarët do të gjejnë mënyra për të manipuluar me tregjet dhe konsumatorët, pasi jemi të vetëdijshëm se këtë ata e kanë bërë në të kaluarën. Shpresojmë se autoritetet shtetërore do të jenë vigjilente dhe do të mund të kontrollojnë punën e tregtarëve që të mos ketë manipulime apo ngritje të çmimeve ”, thotë Zllatko Cvetkovski, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se disa nga masat e Qeverisë edhe tani janë respektuar nga tregtarët pasi çmimet i dikton tregu dhe, sipas tij, për momentin ka produktet që shiten edhe më lirë sesa që ishte në fuqi vendimi i Qeverisë.

“Shumë produkte ushqimore edhe tani po shiten më lirë sesa vendimi i Qeverisë që ishte në fuqi. Në rast se ndodh të ketë keqpërdorime nga ana e tregtarëve, ne do të bëjmë kontrolle të përditshme dhe ata do të përballem me masa të rrepta”, deklaron Bekteshi.

Qeveria, sipas tij, pret përmirësim të gjendjes ekonomike dhe ulje të inflacionit nën 10 për qind nga më shumë se 17 për qind sa ishte në muajin janar.

Masat e Qeverisë për kufizimin e çmimeve ishin shoqëruar edhe me subvencione për kompanitë.

Rreth 250 prej tyre nga muaji dhjetor i vitit të kaluar kanë marrë rreth katër milionë euro për t’i mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike me qëllim që të mos i rrisin çmimet e produkteve ushqimore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG