Ndërlidhjet

Pa mbikëqyrje serioze nga jashtë, s’mund të ketë gjyqësor të pavarur


Fotografi nga hapja e gjykatës së re të Idrizovës, Shkup, dhjetor 2022.
Fotografi nga hapja e gjykatës së re të Idrizovës, Shkup, dhjetor 2022.

Pa presion dhe ndërhyrje serioze nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të ketë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, apo për kthimin e besimit në gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, thonë njohësit e çështjeve juridike dhe drejtuesit e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Ata këto komente i bënë duke folur për ardhjen në Shkup të Komisionit Vlerësues të BE-së, që kryesohet nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kroacisë, Branko Hrvatin.

Ekipi që ai kryeson të mërkurën dhe të enjten ka realizuar takime në Këshillin Gjyqësor dhe organe tjera të drejtësisë, por detaje nga këto takime nuk janë dhënë.

Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, ka thënë më 27 korrik se puna e Misionit Vlerësues do të ndihmojë në forcimin e transparencës së institucioneve të drejtësisë dhe rikthimin e besimit në gjyqësor.

Misioni në shënjestër të punës së tij ka Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, një organ që mbikëqyr punën e gjykatës dhe që emëron dhe shkarkon gjykatësit.

“Këshilli duhet të bëjë përpjekje që të ruajë integritetin dhe pavarësinë e gjykatësve dhe institucioneve si dhe të jetë mbrojtës nga ndikimet e jashtme. Komisioni Evropian dërgoi misionin vlerësues për Këshillin Gjyqësor me qëllim përforcimin e transparencës, pavarësisë dhe besueshmërinë e këshillit, përfshirë edhe anëtarët e tij”, ka thënë zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Jovanovska, thotë se pavarësi në punën e gjykatave dhe rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit nuk mund të ketë pa u eliminuar ndikimet politike në gjyqësor.
Ajo shpreson se presionet nga jashtë, siç është edhe dërgimi i Misionit Vlerësues, mund të japin rezultate në përmirësimin e gjendjes momentale.

“Mendoj se ka forca në këtë vend që munden dhe duhet patjetër të bëjnë gjithçka kundër kësaj të keqeje të shoqërisë. Por, që kjo të ndodhë duhet të kemi ndërgjegjësim të politikës dhe të hiqen ndikimet politike mbi punën e gjyqësorit”, thotë Jovanovska duke shtuar se nëse një gjë e tillë nuk ndodh, do të jetë e vështirë parballja me këtë fenomen.

“Ne mbetemi me shpresë në ndikimin e faktorit ndërkombëtar që vazhdon të bëjë presion për ndryshime. Nuk është e rastësishme edhe ardhja e ekspertëve vlerësues të BE-së, kështu që vlerësoj se forcat pozitive këtu të ndihmuara edhe nga faktori ndërkombëtar mund të kontribuojnë që këto fenomene të paktën të minimizohen”, thekson ajo.


Aleksandar Tortevski, njohës i çështjeve juridike, thotë se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Maqedoninë e Veriut nxiten nga politika, prandaj edhe nuk ka rezultate në luftën kundër këtyre fenomeneve.

“Kur flitet për krimin e organizuar, ai në Maqedoninë e Veriut ekziston në çdo strukturë politike që është në pushtet. Ata shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që kanë në dispozicion ndërsa policia nuk i ndjek. Në përgjithësi ndiqet ndonjë ish-zyrtar edhe atë nëse nuk kanë arritur të merren vesh për ndarjen e asaj që kanë vjedhur. Si duket tani gota është mbushur dhe paralajmërohen masa, por vështirë se do të ketë ndonjë rezultat”, thotë Tortevski.

Sipas tij, ndihma nga jashtë duhet të vazhdojë, jo vetëm me ekipe vlerësuese, por edhe me marrjen e masave tjera, përfshirë vendosjen në krye të institucioneve të njerëzve të jashtëm.

“Mund të na ndihmojnë vetëm në rast se nga Bashkimi Evropian i marrin nën drejtimin e tyre disa segmente të shoqërisë tonë, si rastet që kanë të bëjnë me veprat penale, pra nëse i drejtojnë gjykatat, prokuroritë dhe policinë. Vetëm nëse kjo ndodh, atëherë brenda 10-15 vjetëve mund të bëhemi shtet normal. Kështu nuk do të kemi asnjë mundësi për përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, vlerëson Tortevski.

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut është kritikuar edhe nga ambasadorja Angela Aggeler. Ajo ka thënë se me gjithë përkushtimin dhe ndihmën e madhe financiare të Qeverisë amerikane në dekadat e fundit për ngritjen e një sistemi funksional dhe të pavarur gjyqësor, rezultatet mungojnë.

“Kur bëhet fjalë për progresin në gjyqësor, jemi të zhgënjyer. Gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, ne kemi investuar gjysmë miliardi dollarë në programet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, por nuk po shohim përmirësimet dhe reformat që prisnim nga një investim kaq i madh”, ka thënë Ageler, në një intervistë për gazetën maqedonase Kapital.

Hulumtimi i fundit i “Balkan Public Barometer” e nxjerr Maqedoninë e Veriut në vend të parë në rajon sa i përket mungesës së besimit në institucionet gjyqësore. Tetëdhjetë e dy për qind e të ankuarve kanë thënë se nuk kanë besim në organet drejtësisë, që është 10 për qind më shumë se hulumtimi i vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG