Ndërlidhjet

Rritet konsumi i produkteve, autoritetet thonë se ka mjaft rezerva


Shkup, 15 mars, 2020.
Shkup, 15 mars, 2020.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë në Maqedoninë e Veriut, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ka bërë që qytetarët t’u drejtohen dyqaneve për të siguruar rezerva ushqimore.

Megjithatë, autoritetet kanë siguruar se shteti ka rezerva të mjaftueshme të produkteve ushqimore dhe higjienike. Ata kanë theksuar se mbyllja e kufijve për qytetarët, nuk do të thotë mbyllje e kufijve për transportin e mallrave dhe medikamenteve.

Por, qytetarët thonë se nëpër dyqane tashmë po vërehet mungesa e produkteve të caktuara.

Përderisa kompanitë që distribuojnë produktet ushqimore nëpër markete, thonë se edhe pse tani po shiten më shpejt produktet ushqimore, ata po sigurohen që raftet e dyqaneve të mbushen sërish.

“Mendoj se momentalisht nuk ka nevojë të krijohet panik. Tash për tash ka rezerva të mjaftueshme ushqimore që të kontrollohet situata. Dukshëm është rritur konsumi i produkteve ushqimore edhe pse e përsëris nuk ka nevojë për panik sepse paniku vetëm e vështirëson situatën në të gjitha aspektet, qoftë për ne si distributorë, qoftë për vetë marketet apo qytetarët”.

“Por, për momentin po ndodh një kaos i vogël me konsumatorët që kanë frikë se do të ndërpritet furnizimi, që e theksoj që një gjë e tillë nuk ka nevojë që të ndodhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Orhan Shaqiri, përfaqësues i një kompanie që distribuon produkte ushqimore. Ai shton se çmimet e produkteve bazë mbeten të pandryshuara.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka kërkuar nga qytetarët që të mos krijojnë tollovi në dyqanet ushqimore, duke paralajmëruar se kjo gjë mund të rrisë rrezikun e infektimit me koronavirus.

Ministri Bekteshi ka siguruar qytetarët se furnizim me ushqim do të ketë në çdo kohë.

“Ka një numër të madh produktesh që qytetarët i kanë në dispozicion. Nuk ka nevojë aspak të krijohet panik. Unë, si ministër i Ekonomisë i informova edhe për vendimin e qeverisë sa i përket ndalesës së rritjes së çmimeve dhe së bashku me Inspektoratin e tregut do ta ndjekim këtë situatë”, është shprehur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Autoritetet kanë kërkuar nga qytetarët që nëpër dyqane ushqimore të qëndrojnë në radhë dhe të respektojnë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke mbajtur distancë një metër nga njëri-tjetri.

Si shpërndahet COVID-19 dhe si ta mbroni veten kundër tij?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Megjithatë, problemi më i madh mbetet mungesa e maskave dhe dorezave mbrojtëse. Si pasojë e sasisë së vogël të këtyre produkteve, farmacitë kanë trefishuar çmimin e tyre edhe pse Inspektorati i tregut ka paralajmëruar gjoba për subjektet juridike që do të rrisin çmimin e produkteve.

Sociologët thonë se është e kuptueshme frika e qytetarëve në këtë kohë, pasi sipas tyre ata po përballen me një “armik të padukshëm”, fitorja ndaj së cilit, varet nga përgjegjësia e përbashkët e gjithë shoqërisë.

“Në këtë moment, ne jemi dëshmitarë të sjelljeve të pazakonshme të qytetarëve, sjellje të cilën shumë rallë e kemi hasur. Megjithëse është e drejtë që qytetarët të ndjehen të shqetësuar për shkak se bëhet fjalë për një çështje shumë serioze, për një sëmundje që përhapet shpejt dhe ende nuk ka shërim adekuat. Pra, bëhet fjalë për shëndetin, një çështje shumë e ndjeshme dhe për këtë arsye paniku është i pranishëm, i cili reflektohet në shumë forma”.

“Në këtë drejtim, do të thosha se sa më shumë informacione dhe sa më shumë shpjegime do t’u japin organet përgjegjëse qytetarëve, aq më shumë do të kontribuojnë që qytetarët të tejkalojnë këtë frikë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, sociologu, Gjorgji Tonovski.

Më 16 mars, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë, siç është mielli, buka, kripa, vaji, qumështi dhe produkteve tjera, atyre për dezinfektim dhe ilaçeve. Qeveria tha se kushdo që nuk respekton këtë vendim, do të gjobitet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG