Ndërlidhjet

Maqedonia e V. nis regjistrimin e popullsisë


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur regjistrimit i popullsisë, përkatësisht i personave që janë në vuajtjen e dënimit, personave të pastrehë, si dhe i shtetasve që momentalisht jetojnë jashtë vendit. Ky proces do të zgjasë deri më 21 prill, kur edhe përfundon i gjithë procesi i regjistrimit, i cili për shtetasit që jetojnë brenda vendit, do të nis më 1 prill.

“Ky është një operacion shumë i rëndësishëm dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kyçen në zhvillimin e shtetit, pasi kemi të bëjmë me një operacion nga i cili të gjithë kanë dobi, në veçanti institucionet, të cilët përmes të dhënave statistikore më pas bëjnë hartimin e politikave zhvillimore”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Ai tha se Ligji për regjistrimin e popullsisë dhe metodologjia për zbatimin e tij janë hartuar në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe se këtë, sipas tij, e kanë konfirmuar edhe përfaqësues të lartë të Eurostat-it.

Regjistrimi i shtetasve që jetojnë jashtë vendit do të bëhet përmes një aplikacioni të posaçëm, ku çdo i interesuar mund të fusë të dhënat, të cilat do të përpunohen së bashku me të dhënat tjera të shtetasve brenda vendit, por shumë persona që jetojnë jashtë vendit kanë shprehur vërejtje për shkak të problemeve teknike, kryesisht me moshapjen e aplikacionit.

Zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami tha për Radion Evropa e Lirë se probleme ka pasur, por se ato janë evituar gjatë ditës, ndërsa njoftoi edhe për masa tjera për informimin e diasporës mbi aplikacionin dhe procesin e regjistrimit.

“Kemi angazhuar të gjithë mekanizmat, të gjitha institucionet, të gjitha mundësitë që kemi në dispozicion që të çdo mërgimtar të arrijë deri tek informacionet e nevojshme për regjistrim. Ende është herët për të thënë se ata janë mirë të informuar, por shpresoj se ditët në vijim edhe këtë punë do të arrijmë ta bëjmë”, tha Selmani.

Ai shtoi se shtetasit që jetojnë jashtë vendit “nuk duhet të shqetësohen”, meqë sipas tij, ata do të kenë edhe një mundësi të dytë në rast se nuk arrijnë të regjistrohen përmes sistemit online.

“Kjo është mundësia e parë, por mërgata ka edhe mundësinë e dytë, do të thotë nëse nuk arrin të regjistrohen online për shkak të pengesave të natyrave të ndryshme, të dhënat e tyre mund t’ia japin ndonjë të afërmi të tyre që jeton në Maqedoninë e Veriut, i cili gjatë periudhës prej 1 prill deri më 21 prill kur do të bëhet regjistrimi i popullatës rezidente, të cilët përveç veten e tyre do të mund të regjistrojnë dhe të afërmit e tyre që nuk jetojnë në vend”, deklaroi zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami.

Regjistrimi i popullsisë ka nisur mes përplasjeve të thella, të pranishme tani një kohë të gjatë, mes partive politike. Opozita maqedonase tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme me të cilat synon anulimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE pretendon se regjistrimi nuk është proces statistikor, por politik. Kjo parti ka akuzuar partitë në pushtet për kurdisjen e rezultatit sa i përket përqindjes së popullatës, në veçanti asaj shqiptare, e cila bazuar në regjistrimin e vitit 2002 përbën 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës dy milionëshe.

Pikërisht për shkak të politizimit të procesit, regjistrim të popullsisë në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur tani 19 vjet. Një përpjekje kishte në vitin 2012, por regjistrimi ishte ndërprerë dhjetë ditë pasi kishte nisur, pikërisht për shkak të dallimeve mes partive dhe anëtarëve të regjistruesve në terren lidhur me regjistrimin e diasporës, që edhe luan rol të rëndësishëm në numrin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG