Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se po angazhohen që të tërheqin nomadët digjitalë, që përmes tyre t’i jepet një impuls zhvillimit të ekonomisë lokale dhe për këtë gjë tashmë janë duke përgatitur fushata.
Nomadët digjitalë janë ata persona që përdorin teknologjinë si mjet pune dhe zakonisht e kryejnë punën nga distanca.
Drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Kosta Petrov thotë për Radion Evropa e Lirë se nomadët digjitalë do të sillnin përfitime të mëdha për ekonominë lokale, duke shtuar se ardhja e tyre paraqet një shans për bashkëpunim dhe rrjetëzim me ekspertët lokalë, veçanërisht nga fusha e informatikës.
Petrov thekson se tashmë punohet në miratimin e një ligji për nomadët digjitalë, në mënyrë që atyre t’u mundësohet viza me leje qëndrimi më gjatë se tre muaj, me qëllim që Maqedonia e Veriut shndërrohet në një qendër serioze rajonale për zhvillimin e bizneseve “Start-up”.
“Për momentin ata (nomadët digjitalë) mund të qëndrojnë tre muaj në Maqedoninë e Veriut, por me ndryshimet ligjore të cilat jemi duke i përgatitur dhe të njëjtat duhet të miratohen në kuvend, parashihet dhënien e vizës digjitale që këta persona të mund të qëndrojnë kohë më të gjatë, pra të qëndrojnë në vend më shumë se tre muaj”, thotë Petrov, duke shtuar se përfitimet nga nomadët digjitalë janë shumë të mëdha dhe në shumë dimensione.
Ai thotë se numri i nomadëve digjitalë në Maqedoninë e Veriut është në rritje, ndonëse nuk jep ndonjë shifër të saktë.
Ndërkaq, Azir Aliu ligjërues në Fakultetin e Shkencave të Informatikës në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja për të ofruar lehtësia për nomadët digjitalë është e mirë dhe sipas tij, Maqedonia e Veriut plotëson kushtet për të qenë shtet atraktivë për këta persona.
“Ju e dini se nomadët digjitalë kërkojnë vende që kanë internet të shpejtë, në këtë drejtim ne qëndrojmë mirë si shtet. Ata gjithashtu kërkojnë që kostoja e jetës të mos jetë e shtrenjtë edhe në këtë drejtim qëndrojmë mirë. Megjithatë, në aspektin e sigurisë së infrastrukturës ne nuk qëndrojmë mirë në krahasim me vendet fqinje”, thotë Aliu.
Aliu thotë se në këtë drejtim, institucionet duhet të angazhohen për të gjetur mënyrat se si të bëhen vend atraktiv për nomadët digjitalë, pasi sipas tij, ata zgjedhin vende që ofrojnë më shumë komponentë zhvillimorë.
Nga ana tjetër, Nina Nikoliç, bashkëthemeluese e Asociacionit ‘Start-up Maqedoni’, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo vetë ka punuar si nomade digjitale. Ajo shton se pandemia ka treguar se puna në distancë është e mundur që të kryehet në shume profesione.
Nikoliç thotë se përmes programit zviceran ‘Sipërmarrësit në Rezidencë’, në Maqedoni të Veriut më shumë se 100 ekspertë të fushave të ndryshme dhe pjesa më e madhe e tyre kanë punuar si nomadë digjitalë. Nikoliç thotë se nga eksperienca e këtyre personave mund të përfitojnë shumë të rinj në shtet, të cilët e kanë pasion punën në lëvizje.
“Do të krijohet mundësi që banorët lokalë të kenë qasje në njohuri të ndryshme, të cilat i disponojnë nomadët digjitalë. Eksperienca e tyre është shumë e rëndësishme, veçanërisht nëse ata vendosin të qëndrojnë këtu dhe të themelojnë të ashtuquajturat ‘Start-up’, kompanitë e tyre në vend”, thotë Nikoliç.
Ndryshe, autoritetet e Maqedonisë së Veriut synojnë që vendi t’i bashkohet listës së destinacioneve të nomadëve digjitalë, që paraqesin storie suksesi, siç janë tashmë Republika Çeke, Kroacia, Estonia, Gjeorgjia etj, për faktin se klima në vend është shumë e volitshme dhe çmimet e akomodimit janë më të volitshme se në pjesën më të madhe të shteteve të Evropës.
Facebook Forum