Ndërlidhjet

Marsh në Shkup kundër agresionit rus në Ukrainë


Marshi në Shkup kundër agresionit rus dhe në mbështetje të Ukrainës. 6 mars 2022.
Marshi në Shkup kundër agresionit rus dhe në mbështetje të Ukrainës. 6 mars 2022.

Në sheshin e Shkupit, në Maqedoninë e Veriut, të dielën u mbajt një marsh kundër agresionit rus dhe në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Protestuesit thanë se lufta duhet të ndalet pasi pasojat po ndjehen kudo, madje edhe në Maqedoninë e Veriut.

“E gjithë Evropa është nën kërcënimin nga një sulm bërthamor. [Presidenti rus, Vladimir] Putini do të bëjë përpjekje të mëdha për të pushtuar Ukrainën. Ai është një monstër dhe synon të hyjë në histori si një pushtues i madh”, tha Aleksandar Urbanviç, anëtar i shoqatës së ukrainasve në Maqedoninë e Veriut, në marshin kundër "luftës dhe mizorisë pa kufij nga ana e Rusisë ndaj Ukrainës".

Marjana Velkovska, përfaqësuese e kësaj shoqate, tha se gjithë shtetasit e Ukrainës kanë nevojë për ndihmë.

“Unë kam të afërm atje, ata janë të gatshëm të qëndrojnë atje dhe të luftojnë për vendin e tyre”, tha Velkovska.

Ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalia Zadorozhnjuk, tha se populli i Ukrainës po lufton me gjithë forcën kundër një prej ushtrive më të fuqishme në botë, por sipas saj, pa një mbështetje të fuqishme nga jashtë, do të jetë e vështirë të përballen me pushtuesit rus, që sipas ambasadores, nuk po zgjedhin forma të sulmeve kundër çdo vendbanimi ukrainas.

“Rusia po lufton me gjithë botën, ndërsa Ukraina po lufton për të gjithë botën. Ne do të fitojmë, por ne kemi nevojë për mbështetje nga e gjithë bota, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila ka bërë gjithçka të mundur për të na ndihmuar, duke iu bashkuar sanksioneve si dhe duke dënuar agresionin e pushtuesve rus”, tha ambasadorja Zadorozhnjuk.

“E kemi shumë të vështirë, po bombardohen fshatrat e qytetet tona paqësore, po bombardohen korridoret për të pamundësuar evakuimin e civilëve, po vriten njerëz të pafajshëm që duan vendin e tyre. Duam më shumë sanksione, duam të mbyllet hapësira jonë ajrore për fluturime, të pamundësohen sulmet ruse. Ne po luftojmë, por na duhet ndihmë”, shtoi ajo.

Në sheshin e Shkupit ku u mbajt marshi, u shfaqën fotografi të situatës në Ukrainë, të cilat tregonin njerëz të vdekur, ndërtesa të shembur nga zonat e luftimeve.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG