Ndërlidhjet

Koalicioni i parë parazgjedhor shqiptaro-maqedon


Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami.

Lidhja e koalicionit të parë parazgjedhor mes një partie maqedonase dhe një partie shqiptare, ka nxitur reagime të shumta në opinion mbi pasojat që mund të ketë në raportet ndëretnike, por edhe në ato mes partive politike. Lidhja Social Demokrate (LSDM) që është aktualisht në pushtet, e që drejtohet nga ish-kryeministri, Zoran Zaev, ka arritur marrëveshje me Lëvizjen Besa për pjesëmarrje me lista të përbashkëta në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill.

Në deklaratën e miratuar dy partitë janë zotuar se do të angazhohen për “integrimin evropian të vendit si dhe forcimin dhe kultivimin e vlerave mes bashkësive etnike në vend, duke i llogaritur si një pasuri e cila vetëm mund të lehtësojë integrimin e shtetit drejt Bashkimit Evropian”.

LSDM dhe Lëvizja Besa thonë se do të angazhohen për zhvillim të barabartë në të gjitha sferat dhe gjithë territorin e shtetit pa dallim të përkatësisë etnike, luftimin e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e pushtetit dhe reformim të gjyqësorit, si dhe për çështje tjera.

Zoran Zaev dhe Bilal Kasami.
Zoran Zaev dhe Bilal Kasami.

Lëvizja Besa në zgjedhjet e vitit 2016 kishte fituar pesë deputetë, por pas ndarjes së saj kishte mbetur me tre deputetë, pasi dy të tjerë kanë kaluar në partinë e re Alternativa e cila ka hyrë në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Shqiptarët që drejtohet nga Ziadin Sela.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që drejtohet nga Ali Ahmeti, e që është në koalicion me LSDM-në, koalicionin e partnerit të saj me Lëvizjen Besa e ka quajtur “të dëmshëm për shqiptarët” pasi sipas kësaj partie, shqiptarët koalicionet me partitë maqedonase duhet t’i bëjnë pas zgjedhjeve.

Duke komentuar reagimet në opinion, në veçanti ato të partive tjera ndaj një koalicioni të tillë, njohësit e çështjeve politike thonë se bëhet fjalë më tepër për demagogji sesa që ato në plan të parë kanë interesat kombëtare.

Muhamet Haliti, ish-deputet në disa përbërje parlamentare, thotë se është realitet se shqiptarët vetë të grumbulluar në një parti, pa një koalicion me partitë maqedonase, nuk do të mund ta bëjnë qeverinë sikur edhe maqedonasit që nuk do të mund të formojnë qeveri pa partitë shqiptare sepse, thotë ai, Maqedonia e Veriut është shoqëri dhe shtet shumetnik bazuar në Kushtetutë.

Halili nuk sheh asgjë të keqe nga një koalicion i tillë nëse, siç thotë, është i ndërtuar mbi parime të qarta programore.

“Nëse një koalicion i tillë është bërë në bazë të parimeve programore mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim nëse do të bëhet para apo pas zgjedhjeve. Konsideroj se koalicionet parazgjedhore janë më stabile pasi bazohen në parime të qarta programore. Nuk mendoj se ka diçka negative pse kemi një koalicion mes një partie maqedonase dhe një shqiptare, pasi koalicione të tilla kemi edhe pas çdo procesi zgjedhor. Arsyetimet kundër koalicioneve parazgjedhore janë demagogjike se gjoja me koalicionet paszgjedhore i kushtëzojnë partitë maqedonase e kështu me radhë”, thotë Halili.

Ai konsideron se koalicionet e tilla mund të zgjerohen edhe me partinë tjetër maqedonase, VMRO-DPMNE-në, nëse subjektet harmonizojnë programet e tyre dhe që më parë e njoftojnë elektoratin se cilat janë synimet e tyre dhe jo nëpër fushata të dalin me premtimet të mëdha, të cilat i heshtin futjes në qeveri.

“Unë konsideroj se duhet të bëhen koalicione të tilla parazgjedhore edhe me VMRO-DPMNE-në, nëse përputhen përcaktimet programore. Në këtë rast situatë do të jetë e qartë se çfarë do të marrin përsipër partitë e koalicionit parazgjedhor të realizojnë brenda një cikli zgjedhor”, thotë ish-deputeti Muhamet Halili.

Por, disa njohës të tjerë të çështjeve politike thonë se koalicioni parazgjedhor mund të sjellë pakënaqësinë në radhët e dy komuniteteve, i nxitur edhe nga partitë tjera të cilët për të mbrojtur pozicionet e tyre hedhin akuza nga më të ndryshme ndaj një koalicioni të këtillë.

"Mund të ketë, për shembull, rezistencë në disa prej zonave elektorale të vendit për një koalicion të tillë, por edhe në një pjesë të elektoratit shqiptar, i cili nuk preferon ose refuzon të shkojë në një koalicion me një bllok tjetër etnik. Për momentin është vështirë të parashikohen zhvillimet pasi është hera e parë që ndodh diçka e tillë, pasojat janë të mundshme", thotë Gjorgji Spasov, ish-deputet dhe njohës i çështjeve politike.

Ai beson se koalicioni me tepër është arritur nga këto dy parti për të përfituar vota se sa për ndonjë qëllim tjetër.

"Lëvizja Besa, sipas disa hulumtimeve dhe analizave, mund të sjellë deri në tre deputetë në njësinë zgjedhore numër gjashtë, kështu që koalicioni mund të ketë një efekt pozitiv në rritjen e numrit të deputetëve të fituar nga koalicioni që udhëhiqet nga LSDM-ja ", thotë Spasov.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev kishte deklaruar ditë më parë se partia të cilën ai e drejton më nuk është parti maqedonase, por parti shumetnike. VMRO-DPMNE-ja ka përjashtuar mundësinë që në këto zgjedhje të shkojë në koalicion me ndonjë parti shqiptare, por pa përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor nëse fiton në zgjedhjet e 12 prillit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG