Ndërlidhjet

Shkon në 828 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoni të Veriut


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Ka arritur në 828 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 68 raste të reja me COVID-19 që përfshijnë nëntë qytete, ndërsa numri më i madh i tyre është në Kumanovë (18), Shkup (15), Prilep (14), Strugë (dhjetë).

Gjendja e të prekurve është stabile përveç 26 rasteve që ndodhen në aparate të frymëmarrjes në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë kryer 404 teste që e çojnë në 8,057 numrin e testeve të kryera për sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

Të dielën, siç ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, nuk janë regjistruar viktima të reja dhe numri i vdekurve mbetet 34, shumica e të cilëve janë nga Shkupi dhe Kumanova.

Numri i personave të shëruar arrin në 41. Ndërkohë, nga disa qendra të karantinës shtetërore janë lëshuar 280 persona të cilët do t’i nënshtrohet edhe një izolimi shtëpiak prej 14 ditësh.

Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë ka njoftuar se është duke hetuar edhe rastin me dy personat në Veles që janë gjetur të vdekur në banesën e tyre javën e kaluar. Njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv në virus dhe mbetet të konfirmohet nëse bëhet fjalë për COVID-19. Sipas autopsisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore, personi kishte ndërruar jetë më 6 janar, që edhe ka hapur dilemën nëse në Maqedoninë e Veriut koronavirusi ka ekzistuar edhe para 27 shkurtit, kur ishte publikuar rasti i parë me COVID-19.

Sa i përket masave të qeverisë apo ndalimit të tërësishëm të lëvizjes deri në orën 05:00 të mëngjesit të ditës së hënë, Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se “masat janë vendosur për shkak të mentalitetit të njerëzve në vendin tonë”, duke i përshkruar si njerëz si shumë të shoqërueshëm apo social.

“Kemi kontakte shumë intensive sociale dhe njerëzit e kanë të vështirë të heqin dorë nga mënyra normale e të jetuarit, kështu që masat e qeverisë janë në drejtim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Bazuar në vlerësimet e ekspertëve, kulmi i infeksionit nga koronavirusit do të jetë në periudhën e ardhshme, pra nga fundi i prillit andaj qeveria vendosi të rrisë kufizimin e lëvizjes, kryesisht për të parandaluar ndërveprimin shoqëror midis njerëzve. Personalisht, unë jam edhe për masa më rigoroze”, ka deklaruar ministri Çulev.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG