Ndërlidhjet

Çfarë qëndron pas dorëheqjeve të BDI-së nga Qeveria maqedonase?


Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Shkup, nëntor 2022.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Shkup, nëntor 2022.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka kërkuar nga VMRO-DPMNE-ja që të mbështesë ndryshimet kushtetuese, pasi sipas tij, partitë në pushtet kanë mbështetur kërkesat e këtij subjekti opozitar për një Qeveri të zgjeruar, pa Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

Ky zhvillim vjen pasi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, njoftoi se ministrat dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë nga partia e tij kanë dhënë dorëheqje nga ekzekutivi maqedonas.

Ai tha më 30 korrik se vendimi për dorëheqjen e ministrave nga Qeveri u mor “duke u nisur nga kushtëzimi i VMRO-DPMNE-së se do t’i votonte ndryshimet kushtetuese nëse BDI-ja del nga Qeveria”.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi në një intervistë për televizionin T7 në Prishtinë deklaroi se BDI-ja “me qëllim të arritjes së integrimit evropian është e gatshme që të heqë dorë nga të gjitha pikat e programit të saj” që parashohin edhe “kryeministrin e parë shqiptar” në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë.

Por, kreu i BDI-së Ahmeti, tha se dorëheqjet e zyrtarëve të partisë së tij do të hyjnë në fuqi pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.

BDI-ja në ekzekutivin që drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka pesë ministri, përkatësisht atë të Punëve të Jashtme, Ekonomisë, Financave, Arsimit dhe Sistemit Politik dhe një zëvendëskryeministër.

“Ja edhe një shans për [kreu i VMRO-së, Hristijan] Mickovskin dhe VMRO-në, të cilët me votën për Evropën në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mund të dëshmojnë nëse vërtetë janë për agjendën evropiane, apo do të vazhdojnë me bllokada. Mickovski duhet të vendosë që deputetët e VMRO-së të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojnë në rrugën evropiane. Mickovski duhet ta shfrytëzojë rastin dhe të vendosë, të votojë për BE-në apo izolimin”, deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Nga VMRO-DPMNE-ja thanë se dorëheqje duhet të japin edhe ministrat e Lidhjes Social Demokrate të Kovaçevskit dhe vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Problem nuk është vetëm BDI-ja, por dorëheqje të parevokueshme të paraqesin edhe nga LSDM-ja dhe menjëherë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi gjithçka tjetër është humbje kohe. E kemi thënë, mirë është që BDI-ja është shprehur e gatshme të kalojë në opozitë prej nga do të përgjigjet për krimin e bërë”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoilkovski.

Sipas BDI-së, dorëheqjet janë firmosur nga të gjithë ministrat dhe i janë dorëzuar kryeministrit, Dimitar Kovaçevski. Por, sipas vendimit të partisë, dorëheqjet do të dorëzohen në Kuvend pasi të jenë miratuar ndryshimet kushtetuese.

Nga VMRO-ja thanë se ndryshimet kushtetuese do të mbështeten vetëm nëse pranohet kushti i saj që ato të hyjnë në fuqi pas përfundimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian, apo paralelisht me anëtarësimin në bllok.

Vendimi i BDI-së për dorëheqjen e ministrave të saj ndërkohë ka shkaktuar polemika dhe ka ndarë në qëndrime edhe njohësit e çështjeve politike.

Analisti Albert Musliu thotë se nuk sheh “taktizime” nga BDI-ja në vendimin e saj, ndërsa sipas tij, “kërkesa për hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese sipas dëshirës së VMRO-DPMNE-së, “ka adresë të gabuar”.

Ai thotë se kjo nuk varet nga partitë politike vendore, por nga BE-ja, me pëlqimin e Bullgarisë fqinje.

“Nuk shoh taktizime nga BDI-ja, por shoh lëvizje nga kjo parti për të pamundësuar pretendimet me të cilat abuzon VMRO-ja në momentet kur për ndryshimet kushtetuese duhet mbështetje edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Këtu të vetmen lojtare joracionale e shoh opozitën, pasi kërkon gjëra që nuk janë të realizueshme. Kërkesat që kishin të bëjnë me vendimet e subjekteve politike vendore mendoj se nuk kontestohet dhe janë plotësuar. Edhe pse janë joracionale, ato u plotësuan, jo vetëm nga BDI-ja, por edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, që është nga LSDM-ja, që u deklarua i gatshëm për hyrjen e VMRO-së në Qeveri me disa poste udhëheqëse vetëm që t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese. Nuk duhet tani të komplikohen gjërat, ndryshimet janë në procedurë dhe duhet të votohen”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Por, njohësi i çështjeve politike, Vladimir Bozhinovski, thotë se kushti kryesor i VMRO-së nuk ishte që të dorëhiqeshin ministrat e BDI-së, por hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese pas përfundimit të bisedimeve me BE-në.

Ai thotë se dorëheqjen e ofruara nuk duhet të jenë objekt debati, pasi ato më tepër kanë të bëjnë me shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit nga akuzat që po bëhen ndaj kësaj partie për aferat korruptive.

“Kushti kryesor i VMRO-DPMNE-së për gjetjen e ndonjë kompromisi të mundshëm nuk kishte të bënte me mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese, por me hyrjen e tyre në fuqi vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimeve e anëtarësimit, apo me anëtarësimin e Maqedonisë [së Veriut] në BE. Ky ishte kushti, kështu që dorëheqjet që ofrohen, pasi nuk janë dorëheqje, janë çështje teknike që lidhen me kushtin e VMRO-së. Konsideroj se nuk janë objekt debati pasi ato nuk kanë të bëjnë me kompromisin”, thotë Bozhinovski.

Ai thotë Maqedonia e Veriut ndodhet në situatën e tanishme për faktin se kryeministri ka nënshkruar marrëveshjen pas u konsultuar me opozitën që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi paralelisht me anëtarësimin e shtetit në BE.

Daljen nga situata e krijuar, Bozhinovski e sheh përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Prandaj më së miri do të ishte që dy blloqet të dalin para qytetarëve me qëndrimet dhe propozimet e tyre, se cila zgjidhje do të ishte më e mira dhe qytetarët të vendosnin se çfarë do të pranojnë”, thotë ai.

Ndryshimet në Kushtetutën maqedonase duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve për anëtarësim në BE të Shkupit, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020.

Opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.

Debati parlamentar për ndryshimin e Kushtetutës ka nisur më 25 korrik, ndërsa seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG