Ndërlidhjet

Dënime me burg për aksidentet me fatalitet


Polic rrugor në Maqedoninë e Veriut. Fotografia nga arkivi
Polic rrugor në Maqedoninë e Veriut. Fotografia nga arkivi

Rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion ka bërë që institucionet në Maqedoninë e Veriut të iniciojnë ndryshime në Ligjin për drejtimin e automjeteve, duke vendosur që të ndiqen penalisht të gjithë ata që shkaktojnë aksidente me fatalitet.

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se mesatarisht çdo vit qindra njerëz humbin jetën në aksidente. Vitet e fundit, numri është ulur, por kjo nuk mjafton thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Zëdhënësi i policisë, Toni Angellovski, thotë se vitin e kaluar 116 persona kanë humbur jetën në aksidente të ndryshme.

Numri më i madh i viktimave në pesë vjetët e fundit është shënuar më 2017, përkatësisht 155 të vdekur.

“Ky numër është mbi mesataren evropiane dhe ne si Ministri e Punëve të Brendshme po punojmë, dhe shpresojmë që në bashkëpunim me institucionet tjera dhe sigurisht më së shumti me ndihmën e qytetarëve, do të kontribuojmë për rritjen e sigurisë në komunikacion, sepse nëse të gjithë respektojmë rregullat e komunikacionit, sigurisht se nuk do të ketë viktima në trafik”, thotë Angellovski.

Ministria e Drejtësisë synon ndryshimin e nenit 403 të Ligjit për drejtimin e automjeteve, ku parashihen gjobat për shkeljen e rregullave në komunikacion.

Aktualisht legjislacioni parashikon dënime kryesisht me gjoba deri në 500 euro apo heqjen e të drejtës për vozitje prej tre muaj deri në një vit. Tani synohet futje e veprës penale apo dënimi deri më tre vjet burg për “drejtim të mjetit në mënyrë të pakujdesshme”.

“Deri më tani kjo vepër nuk ka ekzistuar në Kodin Penal...Në periudhën në vijim do të bëhet një analizë e detajuar e të gjitha kundërvajtjeve që duhet të fshihen apo modifikohen në kuadër të masave të propozuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2021 janë shqiptuar 240 mijë gjoba, gjysma e të cilave për tejkalim shpejtësie.

“Për tejkalim të shpejtësisë gjatë vitit të kaluar kemi 104.703 gjoba, për vozitje pa patentë shofer 24.053, për drejtim të mjetit nën ndikim të alkoolit 10.360 gjoba”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Këshilli Republikan për Siguri dhe Mbrojtje në Komunikacion, thotë se për disa kundërvajtje mund të ketë gjoba më të ulëta, por jo edhe për ato që rrezikojnë jetën e qytetarëve por edhe të bashkudhëtarëve në automjet.

“Për disa shkelje mund të keni edhe kallëzime kundërvajtëse, por jo edhe për shkeljet dhe incidentet më të rrezikshme për jetën dhe më të rëndat në komunikacion, përkatësisht drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, drejtimi me shpejtësi të papërshtatshme dhe mosrespektimi i rregulloreve dhe sinjalistikës rrugore. Këto janë veprat më të mëdha dhe ato nuk mund të trajtohen vetëm në mënyrë parandaluese, por duhet të ketë masa represive”, thotë Dejan Andonoviq, zëdhënës i Këshillit republikan për siguri dhe mbrojtje në komunikacion.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë mirëpresin ndryshimet e propozuara.
Por, ata kërkojnë që ato të zbatohen dhe të vlejnë për të gjithë njësoj.

“Mbase këto ndryshimet do të sjellin me shumë siguri në komunikacion, por vetëm nëse nuk ndërhyhet në heqjen e dënimin. Nëse kjo ndodh, atëherë gjobat do të vlejnë vetëm për kategorinë e varfër apo për ata që nuk kanë njerëz në pozita të larta për t’ua hequr dënimin”, thotë Naum Kovaçev.

“Në rregull janë këto ndryshime, pse të vrasin njerëz, duhet urgjentisht të bëhen”, thotë Ibrahim Bajrami.

“Mendoj se ndryshimet janë të mira dhe duhet të bëhen. Të gjitha ata që drejtojnë automjetet duhet të kuptojnë se nuk është me rëndësi të vetëm të vozisin, por edhe të kenë kujdes që të mos marrin jetën e tjetrit”, thotë Vesna Stojkova.

Nga Këshilli republikan për siguri dhe mbrojtje në komunikacion, thonë se përveç ndryshimeve ligjore, në kuptimin e ashpërsimit të dënimeve, me rëndësi janë edhe fushatat për parandalimin e aksidenteve, por edhe edukimi nëpër shtëpi, në veçanti i prindërve dhe fëmijëve gjatë rrugës që bëjnë për në shkolla dhe kopshte.

Ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, tashmë janë publikuar në regjistrimin nacional elektronik dhe pritet të miratohen pas pushimeve të verës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG