Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, të enjten, më 25 janar, ka paraqitur në Kuvend dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar, me të cilin ka udhëhequr nga 11 janari i vitit 2022.
Dorëheqja e Kovaçevskit bazohet në Ligjin për zgjedhje dhe punën e Qeverisë, me qëllim formimin e Qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.
Gjatë dorëzimit të dorëheqjes në Kuvend, Kovaçevski ka thënë se ai sërish do të kthehet në këtë post, pas zgjedhjeve parlamentare.
“Më 9 maj Qeveria sërish do të udhëhiqet nga unë sikur edhe shumica parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, ka deklaruar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).
Ai ka thënë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë “betejë mes partive politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”.
Qeveria teknike, e cila pritet të votohet më 28 janar, do të udhëhiqet nga Talat Xhaferi, që vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili gjatë ditës së hënë po ashtu dorëhiqet nga posti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Postin e kryekuvendarit të premten më 26 janar pritet ta marrë Jovan Mitrevski nga LSDM-ja, i cili edhe do të përgatisë seancën për zgjedhjen e qeverisë së re.
Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, bazuar në Ligjin për zgjedhje, me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
VMRO DPMNE-ja do të udhëheqë dy ministri, atë për Punë të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe me tri poste të zëvendësministrave, me kompetenca të veçanta.
Kryetari i saj, Hristijan Mickoski, ka thënë se partia e tij mbetet në qëndrimin për të mos votuar për Talat Xhaferin për kryeministër të Qeverisë teknike.
Por, mosvotimi i deputetëve të opozitës nuk e pengon formimin e qeverisë së re, meqë shumica parlamentare ka numrin e nevojshëm prej 61 votash për miratimin e qeverisë së re.
“Ne do të jemi në sallën e Kuvendit, por do të jemi të përmbajtur, nuk do të votojmë pasi vlerësojmë se Talat Xhaferi nuk meriton të votohet për drejtimin e kësaj qeverie. Ne nuk do të votojmë për të duke marrë parasysh sjelljen e tij, shkeljen e rregullores së punës së Kuvendit, Kushtetutës dhe shumë procedura tjera parlamentare. Vlerësojmë se ai nuk mund të udhëheqë me këtë detyrë dhe të na bëjë të ndihemi krenar. Por, ai do të jetë në këtë detyrë si rezultat i një marrëveshjeje mes LSDM-së dhe BDI-së”, ka deklaruar Mickoski.
Kreu i opozitës ka thënë se nuk pret “punë të mira” nga kjo qeveri, përkundrazi konflikte e zënka për të gjitha çështjet
“Kjo do të jetë një qeveri e konflikteve, nuk do të jetë qeveri për t’i marrë mësysh për punën që do të bëjë. Atje çdo ditë do të kacafytemi për gjëra të ndryshme. Atje nuk do të mund të flasim për diçka ë vlefshme për shtetin”, ka thënë Mickoski.
Ndryshime të tjera në qeverinë e re pritet në postin e zëvendëskryeministrit të parë. Tani në vend të Artan Grubit të BDI-së, në këtë post do të jetë Bojan Mariçiq nga LSDM-ja, i cili aktualisht është zëvendëskryeministër për çështjeve evropiane.
Qeveria teknike që do të votohet më 28 janar do të jetë e treta me radhë, që nga ndryshimet në Ligjin për punën e qeverisë.
Funksionimi i saj 100 ditë para çdo cikli zgjedhor u vendos që nga viti 2016 kur nga pushteti u largua ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ndodhet në arrati në Hungari për t’u ikur dënimeve me burgim dhe disa proceseve gjyqësore, për shpërdorim të detyrës dhe manipulimin me proceset zgjedhore.