Ndërlidhjet

Mbi 4 miliardë euro mallra të importuara në Kosovë


Market në Kosovë
Market në Kosovë

Brenda një viti, sipas të dhënave të Doganës, Kosova ka importuar mallra nga vende të ndryshme të botës në vlerë prej më shumë se 4 miliardë euro, derisa ka eksportuar jo më shumë se 340 milionë euro.

Si pasojë e mospërputhjes ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve, deficiti vjetor tregtar në Kosovë ka arritur në shifrën mbi 3 miliardë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2019 ka pasur rritje edhe të eksporteve edhe të importeve.

“Derisa në vitin 2018, vlera e eksporteve ka qenë rreth 300 milionë euro, në vitin 2019 vlera e eksporteve është rritur për 8 për qind, përkatësisht 340 milionë euro. Edhe në aspektin e importit kemi rritje, por jo në aspektin e peshës, por kemi rritje në aspektin e vlerës, ku vlera e tërësishme e importit nga 3.9 miliardë sa ka qenë në vitin 2018, është rritur në 4 miliardë në vitin 2019”, thotë Stavileci.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova më së shumti importon makineri, pajisje mekanike dhe elektrike, produkte minerale, ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, si dhe artikuj të tjerë.

Ndërkaq, sa i përket eksportit, Kosova eksporton metalet bazë dhe artikujt prej tyre, produktet minerale, ushqimet e përgatitura e produkte e të ngjashme.

Dëmet që i shkakton deficiti ekonomisë

Deficiti i lartë tregtarë ndër vite vlerësohet shqetësues për ekonominë e një vendi, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti i çështjeve financiare, Flamur Keqa.

“Një prej problemeve që shkaktohet nga deficiti afatgjatë i lartë tregtar, është mundësia për rritjen e papunësisë, sepse në vend që të prodhohet më tepër në Kosovë dhe të rriten vendet e punës këto mallra importohen nga jashtë”, thotë Keqa.

Kosova përballet me nivel të lartë të papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia gjatë vitit 2019, ishte 29.6 për qind.

Deficiti i lartë tregtar, i cili është pasojë e mospërputhjes së lartë ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve, vazhdon të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike. Rritja ekonomike për vitin 2019 në Kosovë ka qenë vetëm rreth 4.2 për qind.

Prodhuesit në Kosovë në vazhdimësi kanë theksuar se përballen me probleme të shumta, si tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, ekonomia joligjore, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit, jostabiliteti me energji elektrike e konkurrenca jo e barabartë.

Eksperti i ekonomisë, Falmur Keqa, thotë se deficiti i lartë tregtar do të ulej nëse Kosova do të bëhet një vend më atraktiv për investitorët e huaj, por edhe ata vendorë.

“Deficiti tregtar i Kosovës buron nga dy faktorë. Një është struktura e pavolitshme e ekonomisë së Kosovës dhe me të edhe përkrahja e pamjaftueshme e qeverisë për bizneset kosovare, në mënyrë që ata të kenë hapësirë për të prodhuar dhe të dalin në treg për produkte dhe mallra të reja që do të ishin zëvendësimi i mallrave, të cilat importohen në Kosovë. Dhe, nën dy, është klima e paqëndrueshme politike dhe ligjore në Kosovë, e cila po ndikon në rënien e investimeve të huaja”, vlerëson Keqa.

Gjatë vitit 2019, krahasuar me vitet e kaluara, ka pasur një ndryshim të vendeve prej nga Kosova ka importuar, thotë Adriatik Stavileci. Serbia, e cila ka qenë eksportuesja më e madhe e produkteve të saj në Kosovë, pas vendosjes së taksës, në nëntor të vitit 2018, është zëvendësuar nga shtete tjera.

“Në aspektin e importit, kemi pasur lëvizje që nga vendosja e taksës. Derisa në vitin 2018, deri në nëntor, kur është vendosur taksa, ne e kemi pasur në vend të parë Serbinë, tani në vend të parë në aspektin e vlerës së importit prin Gjermania, pasuar nga Turqia, Kina, Shqipëria e kështu me radhë. Ndërsa, vendet ku Kosova eksporton është Shqipëria, por ka pasur rritje të eksporteve në Zvicër, në Indi, në Gjermani dhe Itali”, bën të ditur Stavileci.

Qeveria në largim e Kosovës, më 21 nëntor të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo më shumë se 360 milionë euro brenda një viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG