Partnerët ndërkombëtarë presin që Mali i Zi, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të ketë një qeveri të qëndrueshme, në të cilën mund të mbështetet Bashkimi Evropian (BE), thonë bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë.
"Gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë Malit të Zi është të ndjekë të ashtuquajturin model bullgar - se qeveria po ndryshon vazhdimisht, ka gjithmonë një populizëm, probleme të brendshme...", thotë parlamentari gjerman, Josip Juratoviq për Radion Evropa e Lirë. Ai deklaron se në Evropë ekziston një përshtypje se disa vite më parë, Mali i Zi ishte shumë më larg në rrugën e tij drejt BE-së sesa tani.
Bullgaria, e cila është anëtare e BE-së, organizoi zgjedhje parlamentare pesë herë brenda dy vjetëve të fundit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën më 11 qershor. Që nga zgjedhjet e fundit, të cilat ishin mbajtur në gusht të vitit 2020, në Mal të Zi kanë rënë dy qeveri.
Zgjedhjet e reja që u mbajtën më 11 qershor, nuk i dhanë asnjë partie shumicën në Kuvend.
Lëvizja Evropa Tani fitoi 24 nga gjithsej 81 ulëset e Parlamentit malazez. Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila humbi pushtetin në vitin 2020 pas gati tri dekadash, fitoi tri mandate më pak.
Lideri i lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiq, tha se brenda këtij subjekti së pari do të vendosë me kë do të negociojë një koalicion paszgjedhor, por përjashtoi mundësinë që ata të mund ta ndajnë pushtetin me DPS-në apo Lëvizjen Qytetare URA, të kryeministrit në largim Dritan Abazoviq.
Zëvendësdrejtoresha e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), Vesela Cherneva, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka perspektiva të qarta për formimin e një qeverie të përbërë nga një shumicë pro-evropiane, "edhe pse shkalla e lartë e ndarjes dhe mosbesimi në Parlament mund ta vështirësojë atë proces”.
"Do të jetë e rëndësishme të mbajmë fokusin në ekonomi dhe në integrimin në BE në vend që të ktheheni në politikën simbolike. Mali i Zi duhet ta përdorë këtë mandat pro-evropian për të forcuar pozicionin e tij ndërkombëtar, sepse besimi çon në mbështetje dhe investime më të mëdha", thotë ajo.
Mali i Zi ka hapur negociatat për më shumë se një dekadë dhe prej vitesh ka qenë kandidati më serioz i vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Pavarësisht kësaj, kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet nga kapitulli i fundit i mbyllur.
Sa më shumë parti, aq më e vështirë arritja e koalicionit
Ambasada amerikane dhe ajo britanike e uruan Malin e Zi për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, deklaroi se shpreson që "Parlamenti i ri t'i japë Qeverisë mbështetjen e duhur për zbatimin e reformave të shumëpritura dhe shumë të nevojshme”.
"Kjo do të jetë e mundur vetëm në një mjedis politik të qëndrueshëm dhe konsensual, në të cilin dallimet partiake nuk do të jenë pengesë për rritjen gjithëpërfshirëse dhe të drejtë të Malit të Zi", thotë Picula.
Josip Juratoviq thotë se, kur nevojiten më shumë partnerë të koalicionit, është më e vështirë të krijohet një qeveri, por se ajo mund të funksionojë, si për shembull në Gjermani.
Logjikisht, sa më shumë të ketë, aq më i vështirë do të jetë krijimi i një qeverie, sepse do të ketë luftë për postet e ministrave, sekretarëve... Kjo është e gjitha normale. Është e rëndësishme për ne që të mbështetemi tek ajo Qeveri në Mal të Zi, e cila nuk do të lundrojë sipas asnjë ideologjie”, shprehet Juratoviq.
Meqë ra fjala, vendin e tretë për nga numri i mandateve, 13 sosh, e fituan partitë e Frontit Demokratik pro-rus i përçarë së fundmi.
Lidhur me mundësinë që këto parti të jenë pjesë e Qeverisë, Juratoviq kujton se lideri i koalicionit të tyre në vitin 2020, Zdravko Krivokapiq, u bë kryeministër i Qeverisë që përbëhej nga 12 të ashtuquajturit 'apostuj'.
"Të gjithë ishim të tronditur, sepse nuk kishte të bënte me ndonjë seriozitet në skenën politike. Tani shpresojmë që ato struktura të mos marrin më aq pushtet për të menaxhuar pak a shumë qeverinë e re. Sepse një qeveri e tillë do të jetë, siç doli, e dënuar me humbje dhe me zgjedhje të reja”, shprehet Juratoviq.
Qeveria e Zdravko Krivokapiqit humbi besimin në shkurt të vitit 2022, që u pasua nga Dritan Abazoviqi më pak se tre muaj më vonë.
Mocioni i mosbesimit për Abazoviqin u votua më pak se katër muaj më vonë, sepse në vend të përshpejtimit të premtuar të integrimit evropian, ai vendosi të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Që nga gushti i vitit të kaluar, Qeveria e tij ka qenë me mandat teknik.
Një marrëdhënie kyçe me vendet e rajonit dhe BE-në
Juratoviq, po ashtu, thotë se pyetja për partnerët ndërkombëtarë është se çfarë raporti do të ketë Lëvizja Evropiane, e cila u formua një vit më parë, me rajonin dhe çfarë është edhe më e rëndësishme, çfarë marrëdhënie do të ketë me BE-në.
Ai tha se premtimet zgjedhore të Lëvizjes që përfshijnë rritjen e pagës mujore në 1000 euro dhe pension minimal prej 450 eurosh janë të njohura, por se nuk dihet saktësisht se si [ata] duan ta pozicionojnë Malin e Zi lidhur me anëtarësimin në BE, në NATO, marrë parasysh ndikimin serb dhe rus.
"Gjithçka është e hapur. Ne nuk kemi asnjë përgjigje për këtë. Dhe, nuk mendoj se është tragjike që nuk kemi përgjigje për momentin, por do të shohim se si do të rregullohet qeveria e re dhe si do të përgjigjet pikërisht për këto pyetje”, thekson ai.
Ai beson se koalicioni i ardhshëm duhet t'i japë përgjigje pyetjes se si duan të kontribuojnë në Bashkimin Evropian në aspektin e vlerave demokratike, organizimit institucional dhe si do ta organizojnë sistemin juridik dhe liritë në vend.
Kur bëhet fjalë për rajonin, deputeti gjerman thotë se pyetja është se si do të bashkëpunojnë autoritetet e reja malazeze me secilin nga vendet e rajonit, duke theksuar se pothuajse të gjitha kanë probleme të mëdha të brendshme.
Ai, gjithashtu, thotë se pritet që Serbia të mundohet të ndikojë në kursin politik në Mal të Zi.
"Për shembull, Ballkani i Hapur, të cilin Serbia po e promovon tmerrësisht në rajon. Me këtë ajo do t’i mbështesë palët që do të shkojnë në atë drejtim. Deri më tani është treguar se ndikimi serb është i fortë në Mal të Zi", thotë deputeti gjerman.
Ai shtoi se ndikimi rus është i lidhur ngushtë me atë serb, gjegjësisht se Moska e përdor ndikimin serb si levë për interesat e saj.
Kritika e BE-së kundër Malit të Zi
Gjatë tre vjetëve të fundit, që kur partia pro-ruse Fronti Demokratik(DF), dhe URA morën pushtetin, Komisioni Evropian ka vënë në dukje në raportet e tij ngecje në procesin e reformave, dështimin për të ndërtuar një konsensus kombëtar për çështjet kyçe të interesit kombëtar dhe përparimin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit.
Paralajmërimi i fundit nga BE-ja erdhi në fund të janarit nga takimi i ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare, kur u konkludua se duhet të vazhdohet presioni ndaj Malit të Zi dhe të kërkohet që ai të përfundojë zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kështu të dalë nga kriza e thellë politike.
"Mali i Zi mbetet një plagë e tillë kancerogjene, nga një vend që ishte më i suksesshmi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, tani në një vend që po bëhet problem, kështu që ne jemi angazhuar për të ndihmuar më tej Malin e Zi", tha ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon në janar.
Parlamenti malazez zgjodhi një pjesë të gjyqtarëve, por jo edhe gjyqtarin e shtatë që mungon të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe pse Mali i Zi mbron integrimin në BE, në praktikë vitet e fundit janë ndërmarrë një sërë hapash në kundërshtim me rekomandimet e Unionit, thuhet në raportin e Komisionit Evropian të dhjetorit të vitit të kaluar.
Pastaj KE-ja dërgoi një paralajmërim duke kërkuar anulimin e dhënies së shtetësisë ekonomike në Mal të Zi.
"Këto skema rrisin rrezikun për sigurinë e vendeve të BE-së, sepse kjo shtetësi mund të përdoret për të shmangur vizën për të hyrë në BE. Këto janë gjithashtu rreziqe migrimi", thuhet në raport.
Komisioni Evropian theksoi shprehimisht se Mali i Zi nuk e ka harmonizuar politikën e regjimit të vizave, që vlen për qytetarët e vendeve të treta, me BE-në.
Ata kanë kundërshtime edhe për zbatimin e Marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, si dhe për faktin se krimi i organizuar nuk merr epilog gjyqësor dhe nuk rezulton me hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë.