Ndërlidhjet

Mali i Zi i ngufatur në borxhe - asnjë opsion i qartë për të


Një automjet duke kaluar nëpër seksionin e parë të një autostrade që lidh qytetin e Tivarit në Mal të Zi me Serbinë.
Një automjet duke kaluar nëpër seksionin e parë të një autostrade që lidh qytetin e Tivarit në Mal të Zi me Serbinë.

Mali i Zi thotë se i duhet ndihmë nga Bashkimi Evropian për të paguar një hua të madhe nga Kina, në vlerë prej 1 miliard dollarësh, për një projekt të diskutueshëm rrugor.

Por, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ana Pisonero, thotë për Radion Evropa e Lirë se blloku “nuk shlyen hua nga palët e treta”, ndonëse shton se Brukseli ka shqetësime për “efektet socio-ekonomike dhe financiare, që mund t’i kenë disa nga investimet e Kinës”.

Pisonero, megjithatë, thotë se BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje përmes Planit të saj Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, që kap vlerën prej 10 miliardë eurosh.

Autostrada në Mal të Zi, e vonuar dhe ende e paplotë, e gjen veten në zemër të një gare më të gjerë gjeopolitike.

Ndikimi i Kinës në Ballkan është zgjeruar në mënyrë dramatike në vitet e fundit.

Thirrja për ndihmë nga Brukseli vjen në kohën kur Mali i Zi përballet me një afat të afërt për ripagimin e autostradës, e cila po ndërtohet nga Korporata e Rrugëve dhe Urave të Kinës (CRBC).

Mali i Zi po ashtu përballet me një mori sfidash politike dhe financiare. Ekonomia e këtij vendi varet nga turizmi dhe ky i fundit është tkurrur ndjeshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kina mban afërsisht një të katërtën e borxhit të përgjithshëm të Malit të Zi, i cili, vitin e kaluar, ka arritur në 103 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

Nëse Podgorica nuk arrin të paguajë huanë, kontrata për projektin e rrugës i jep Kinës mundësinë për të pasur hise në tokë dhe në asete në Mal të Zi.

Sipas kontratës aktuale me Bankën Eksport-Import të Kinës, pagesat e para të kredisë priten në korrik.

Rreziqet tani janë të mëdha si për Brukselin, ashtu edhe për Podgoricën.

Mali i Zi duhet të kërkojë mundësi të tjera për të ardhmen e tij financiare, ndërsa BE-ja duhet të gjejë një mënyrë për të forcuar pozicionin e saj në Ballkanin Perëndimor - një rajon ku Kina vazhdon të forcojë lidhjet e saj, duke dhuruar vaksina kundër koronavirusit dhe duke ofruar ndihma në kohë krize.

“Nuk është befasi që projekti ka përfunduar kështu, ishte problem në bërje që nga fillimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën për Politikë të Sigurisë në Beograd.

Politika e borxhit

Duke mos pasur ndihmën e BE-së në tryezë, Qeveria e re e Malit të Zi, e cila mezi është votuar në dhjetor, duhet të gjejë një zgjidhje të re.

Kredia është marrë nga një qeveri e mëparshme, e udhëhequr nga presidenti aktual, Millo Gjukanoviq.

Kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe kryeministri i Kinës, Li Keqiang. Nëntor, 2015.
Kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe kryeministri i Kinës, Li Keqiang. Nëntor, 2015.

Mali i Zi, i cili është bërë shtet i pavarur kur është ndarë nga Serbia në vitin 2006, është anëtarësuar në NATO më 2017 dhe po punon për të marrë dritën jeshile për anëtarësim në BE.

Ashtu si shumë vende në Ballkan, Mali i Zi po ashtu ka lidhje të forta me Rusinë, ndërsa Kinës i është drejtuar gjithnjë e më shumë për infrastrukturë dhe investime.

Qeveria aktuale e kryeministrit Zdravko Krivokapiq ka bërë përpjekje të distancohet nga projekti i autostradës, i cili është nënshkruar në vitin 2014.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq i ka ngritur për herë të parë shqetësimet në muajin mars, kur, para Parlamentit të Malit të Zi, ka deklaruar se BE-ja duhet të ndihmojë në shlyerjen e huasë, për ta mbrojtur vendin nga varësia prej Kinës.

Ministri i Financave i Malit të Zi, Millojko Spajiq, u është bashkuar përpjekjeve publike, duke deklaruar për gazetën Financial Times më 11 prill se ndihma e BE-së për kredinë nga Kina është një “fitore e lehtë” për bllokun.

Një rrugë e gjarpëruar

Pranimi i huasë nga Banka Eksport-Import e Kinës dhe ndërtimi i autostradës ishin gjëra të diskutueshme që nga fillimi.

Projekti është hartuar për të lidhur portin e Tivarit në Mal të Zi me Serbinë, e cila nuk ka dalje në det.

Autostrada në ndërtim e sipër.
Autostrada në ndërtim e sipër.

Vetë autostrada është e ndarë në tri pjesë dhe huaja kineze mbulon vetëm 41 kilometrat e parë.

Pjesa që kalon nëpër malet në veri të Podgoricës ka qenë më e shtrenjta, pasi 60 për qind e saj përbëhet nga ura dhe tunele.

Seksioni i parë i autostradës nuk ka përfunduar ende, pasi është përballur me probleme planifikimi dhe vonesa, për shkak të pandemisë.

Qeveria, së voni, ka thënë se synon që seksioni i parë të përfundojë këtë vit.

Kur qeveria aktuale ka qenë në opozitë, ajo e ka kritikuar qeverinë e atëhershme për shkak të kredisë nga Kina. Opozita, atëbotë, ka ngritur shqetësime për koston, mungesën e transparencës në procesin e tenderit, korrupsion të mundshëm dhe rrezik afatgjatë ekonomik.

Dyshimet për autostradën janë shfaqur për herë të parë pas dy studimeve të fizibilitetit, të kryera më 2006 dhe 2012, të cilat kanë treguar se ajo nuk ishte e dobishme ekonomikisht.

Mali i Zi ka bërë përpjekje, por ka dështuar të sigurojë fonde nga burimet evropiane dhe më pas i është drejtuar Kinës.

“Disa projekte nuk janë ndërtuar për një arsye”, thotë Jonathan Hillman, drejtor i Projektit Rilidhja e Azisë, pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Vetëm se financimi bëhet i disponueshëm, nuk do të thotë se ai duhet të pranohet”, thotë Hillman për Radion Evropa e Lirë.

MANS, një vëzhgues anti-korrupsion, i financuar nga BE-ja, po ashtu i ka kërkuar Qeverisë së atëhershme të Malit të Zi që t’iu ofrojë ligjvënësve të dhëna që mbështesin idenë e saj dhe dëshmojnë se projekti do të gjenerojë të ardhura.

Por, qeveria ka refuzuar ta bëjë këtë dhe shumë detaje rreth kontratës për kredinë mbeten të fshehura.

Kredia kineze i ka shkaktuar dhimbje ekonomike Malit të Zi edhe para problemeve aktuale me afatin e ripagimit. Ajo e ka detyruar qeverinë t’i rrisë taksat dhe t’i ngrijë pjesërisht pagat e sektorit publik, për t’i rregulluar financat e saj.

Në vitin 2018, Qendra për Zhvillim Global, një institut me seli në Uashington, e ka listuar Malin e Zi në mesin e tetë vendeve në rrezik nga kriza e borxheve, për shkak të kredive kineze.

“Rreziqet rreth kësaj autostrade ishin të qarta qysh në fillim. Kjo tregon se çfarë mund të ndodhë kur nuk ka përgjegjësi të duhur dhe mbikëqyrje efektive për këto projekte të mëdha të infrastrukturës”, thotë Hillman.

Kina në Ballkan

Përveç problemeve ekonomike që i paraqet Malit të Zi, saga aktuale po ashtu e vë BE-në në një pozitë të vështirë sa i përket Kinës në rajon.

Kina vazhdon të ketë ndikim të madh në Ballkan përmes projekteve të infrastrukturës dhe energjisë.

Ky vend ka filluar gjithashtu të krijojë lidhje më të forta politike në rajon, duke ndërtuar një partneritet gjithëpërfshirës me Serbinë.

Mali i Zi është potencialisht tërheqës për Kinën për një numër arsyesh.

Ai i jep Pekinit një prani evropiane në bregdetin e Adriatikut. Ndikimi i shtuar mund të jetë i dobishëm nëse Podgorica i bashkohet BE-së.

Për Brukselin, mënyra se si vendos ta drejtojë këtë situatë, do të ndikojë në besueshmërinë e tij në Ballkan, e cila është ndikuar negativisht gjatë pandemisë, për shkak të vonesave në furnizimin me pajisje mjekësore dhe vaksina.

Bashkimi Evropian është investitori dhe tregu kryesor i rajonit dhe po eksploron rrugë të tjera për ta ndihmuar Podgoricën.

Më 12 prill, ministri francez i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune, shkroi në Twitter se Parisi po punon me Komisionin Evropian për të gjetur një zgjidhje për problemin e borxhit të Malit të Zi dhe “për ta zvogëluar varësinë nga Kina në Ballkan”.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG