Ndërlidhjet

Kosova me pak raste të malaries


Ilustrim
Ilustrim

Kosova është e gatshme të ballafaqohet me malarien pasi vitin e kaluar është paraqitur një rast i ri.

Raste të reja të Malarias në Kosovë u paraqitën pas mbarimit të luftës në vitin 1999, kur shumë qytetarë nga vende të ndryshme të botës erdhën ne Kosovë, por edhe shumë kosovarë filluan të udhëtojnë më shumë në vende tjera.

Në vitin 2010 ka pasur disa raste dhe njëri nga pacientët ka humbur jetën nga kjo sëmundje.

Infektologu Sali Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo sëmundje tash nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, pasi që janë vetëm raste sporadike.

“Deri në vitin 1965 Kosova ka qenë vend endemik me malarien, me numër të madh të rasteve dhe vdekshmëri të lartë. Fatbardhësisht prej asaj kohe nuk ka pasur raste autoktone në Kosovë”, ka thënë Ahmeti.

“Para disa muajve kemi pasur një rast me sëmundjen e malaries i cili ka ardhur nga një vend ku ka malaria, por e kemi trajtuar dhe ai ka dalë në gjendje të mirë shëndetësore,” tha Ahmeti.

Të mërkurën është shënuar Dita Botërore e Malaries që është një infeksion i shkaktuar nga parazitët njëqelizor, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonjat që e bartin këtë parazit.

Dëmtimet që sjellë kjo sëmundje janë vdekjeprurëse, ndërsa simptomat shfaqen brenda pak javëve.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë thënë se malaria është sëmundje e importuar dhe nuk e ka burimin e infeksionit në Kosovë, por që ekziston rreziku potencial.

Ata kanë shtuar se në rast të paraqitjes së sëmundjes do të ndërmerren masat e duhura, jo vetëm për malarien, por për të gjitha sëmundjet që i sjellin personat që udhëtojnë në vende të ndryshme endemike.

"Ne në Kosovë për çdo rast që paraqitet i ndërmarrim masat adekuate. Kjo duke konfirmuar në laborator e që jemi referent për gjithë Kosovën. Gjithashtu edhe duke i informuar pacientët për sëmundjen. Instituti Kombëtar gjithmonë është në vijën e parë të frontit duke identifikuar rastet,“ ka thënë Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e shumë personave.

Simptomat që shfaq sëmundja e malaries janë: temperaturë e lartë, lodhje, dhembje koke, dhembje muskujsh, çrregullime në tretje, të vjella, etj.

Malaria shkakton rreth 650 mijë vdekje në vit në gjithë botën. Shumica e viktimave janë fëmijë nga Afrika nën moshën pesë vjeçare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG