Ndërlidhjet

Macron: Xi ta përdorë ndikimin e tij për ta ndalur pushtimin rus të Ukrainës


Presidenti francez Emmanuel Macron, pritet nga presidenti kinez, Xi Jinping, në Pekin. 6 prill 2023.
Presidenti francez Emmanuel Macron, pritet nga presidenti kinez, Xi Jinping, në Pekin. 6 prill 2023.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka kërkuar homologut të tij kinez, Xi Jinping, që ta përdorë ndikimin e tij për të ndihmuar në ndalimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

"Unë e di se mund të mbështetem tek ju", i tha Macron presidentit kinez.

Xi tha se dy vendet e tyre kanë "aftësinë dhe përgjegjësinë" për ta mbrojtur paqen botërore.

Udhëheqësi francez është në një vizitë shtetërore në Kinë, e cila ka refuzuar ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës.

I shoqëruar nga një delegacion i madh biznesi, Macron po kërkon gjithashtu forcimin e lidhjeve tregtare me Kinën.

Macron është pritur paradite me nderime të larta shtetërore nga Xi. Fillimisht ata zhvilluan takim kokë-më-kokë. Më vonë të dy pritet të zhvillojnë një diskutim trepalësh me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen - e cila është në Pekin me ftesë të Macronit - dhe më pas do të marrin pjesë në një darkë shtetërore.

Në takimet e paradites me zyrtarë tjerë të lartë kinezë, përfshirë kryeministrin Li Qiang, Macron dhe Von der Leyen kanë bërë thirrje për rritje të dialogut me Pekinin.

Macron dhe Von der Leyen arritën në Pekin të mërkurën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von de Leyen, gjatë vizitës së tyre në Pekin. 6 prill 2023.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von de Leyen, gjatë vizitës së tyre në Pekin. 6 prill 2023.

Dje, presidenti francez tha se Kina ka rol të madh në rrugën drejt paqes në Ukrainë dhe se Franca po kërkon të punojë me Pekinin "në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin" në Kiev.

Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, takimi i presidentit Xi me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë dy javë më parë dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se Kina është duke i ndihmuar ekonomisë së Rusisë, teksa kjo e fundit përballet me sanksionet e Perëndimit për luftën në Ukrainë. Ai ritheksoi paralajmërimet e Perëndimit ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë.

Ndërsa, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kritikoi të martën Kinën për mbështetjen e Rusisë gjatë kohës së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës dhe e quajti atë “një shkelje flagrante” të angazhimeve të Pekinit ndaj Kombeve të Bashkuara.

Von der Leyen e paralajmëroi në fund të marsit Pekinin se qasja e tyre ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia do të jetë faktor vendimtar në formësimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe Evropës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG