Ndërlidhjet

Macron thotë se kryeministri australian gënjeu rreth paktit për nëndetëse


Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se është i sigurt që kryeministri australian, Scott Morrison, e ka gënjyer kur ka anuluar kontratën për nëndetëse ujore, që më vonë ka nxitur krizë diplomatike.

Duke folur në margjina të Samitit të 20 vendeve më të industrializuara (G20) që është mbajtur në Romë, Macron është pyetur nëse mendon që Morrison e ka gënjyer atë, duke mos e njoftuar për dialogun me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara për paktin e ri.

“Nuk mendoj. E di”, është përgjigjur Macron.

Ai ka thënë se ka shumë respekt për Australianë mirëpo ka shtuar se “kur them respekt, e mendoj që duhet të jemi të sinqertë dhe të veprojmë në përputhje me këtë vlerë”.

Macron dhe Morrison janë takuar në Romë për herë të parë prej kur Australia ka hequr dorë nga një marrëveshje për blerje të nëndetëseve ujore nga Franca, meqë ka nënshkruar marrëveshje të re me SHBA-në dhe Britaninë.

Morrison ka thënë më vonë se nuk ka gënjyer dhe ia ka sqaruar Macronit se nëndetëset franceze nuk kanë qenë më në përputhje me interesat strategjikë të Australisë.

Njoftimi për marrëveshje të re për siguri e pati zemëruar Francën në muajin shtator dhe për pasojë, Macron ka kthyer mbrapsht ambasadorët francezë nga Uashingtoni dhe Kanbera.

Pakti i ri për siguri synon të luftojë Kinën.

Përmes tij, Australia do të rrisë kapacitetet për mbrojtje, përfshirë pajisjen me nëndetëse me fuqi bërthamore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG