Një filozof i njohur bjellorus, Uladzimer Matskevich, është dënuar me pesë vjet burgim për pjesëmarrjen e tij aktive në ngjarjet publike që vënë në dyshim rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2020 që i dhanë fitoren sundimtarit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.
Gjykata rajonale e Minskut e dënoi Matskevich më 23 qershor, pasi e shpalli fajtor për pjesëmarrje në ngjarje të paligjshme që prishin rendin shoqëror, krijimin e një grupi ekstremist dhe fyerjen e Lukashenkas në internet.
Matskevich u arrestua në gusht të vitit të kaluar.
Në shkurt, filozofi 66-vjeçar filloi një grevë urie dyjavore, duke kërkuar një transferim në arrest shtëpiak, por kërkesa e tij u shpërfill nga autoritetet bjelloruse.
Gjithashtu, më 23 qershor, një gazetare bjellorus në qytetin juglindor të Homelit, Iryna Slaunikava, doli në gjyq me akuzat për drejtimin e një grupi ekstremist dhe organizimin e aktiviteteve që prishin rendin shoqëror.
Slaunikava u arrestua fillimisht së bashku me bashkëshortin e saj, Alyaksandr Loyka, në fund të tetorit.
Çifti u dënua me 30 ditë burg për akuzat e shpërndarjes së materialeve ekstremiste dhe huliganizmit të lehtë.
Pas vuajtjes së dënimit të tyre me burg, Slaunikava u ngarkua me akuzat e reja për të cilat ajo doli në gjyq më 23 qershor. Nëse shpallet fajtore, Slaunikava mund të përballet me deri në shtatë vjet burg. Burri i saj, Loyka nuk u arrestua herën e dytë.
Lukashenka, 67 vjeç, që është në pushtet që nga viti 1994, ka forcuar kontrollin e tij në vend që nga zgjedhjet e vitit 2020, duke arrestuar dhjetëra-mijëra njerëz. Nga frika për sigurinë e tyre, shumica e anëtarëve të opozitës janë detyruar të largohen nga vendi.
Perëndimi ka refuzuar të njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk e konsideron Lukashenkan si udhëheqësin legjitim të vendit. Shumë vende kanë vendosur disa runde sanksionesh kundër regjimit të tij në përgjigje të shtypjes së disidencës në vend.