Ndërlidhjet

Pse Koreja e Jugut është më e suksesshme se Italia në shtypjen e koronavirusit?


Seul, Kore e Jugut.
Seul, Kore e Jugut.

Në Itali, miliona njerëz janë në karantinë dhe 1,266 kanë vdekur nga koronavirusi.

Në Korenë e Jugut, e cila është goditur në të njëjtën kohë, vetëm disa mijëra njerëz janë në karantinë, ndërsa kanë vdekur 72.

Me përhapjen e koronavirusit, këto dy raste ilustrojnë problemet me të cilat vendet e tjera do të përballen gjithnjë e më shumë.

Është jopraktike të testohet çdo pacient i mundshëm dhe nëse autoritetet nuk gjejnë mënyra tjera për të përcaktuar se sa është përhapur infeksioni, përgjigjja e tyre më e mirë është kufizimi i lëvizjes, shkruan Reuters.

Italia, fillimisht, ka bërë testime masive, pastaj i ka ngushtuar ato, duke mos qenë në gjendje të kontrollojë qindra-mijëra pacientë, dhe në fund ka vendosur të kufizojë lëvizjen e njerëzve.

Italia ka 60 milionë banorë. Madje, edhe Papa Françesku, i cili është sëmurë me grip dhe ka dhënë mesazhin e tij të përjavshëm për besimtarët përmes internetit, ka thënë se ndjehet si "i burgosur në bibliotekë".

Kore e Jugut: Testim në vend të karantinës

Mijëra kilometra larg, në Korenë e Jugut, autoritetet i janë përgjigjur ndryshe epidemisë me përmasa të ngjashme. Deri më tash, ato kanë testuar qindra-mijëra njerëz dhe i kanë gjurmuar transmetuesit e mundshëm të virusit si detektivë, duke përdorur telefonat mobilë dhe teknologjinë satelitore.

Në të dyja vendet, të infektuarit e parë janë regjistruar në fund të janarit. Që atëherë, në Korenë e Jugut kanë vdekur 72 njerëz nga gati 8,000 raste të prekura, ndërsa janë testuar mbi 222,000 banorë.

Në Itali kanë vdekur 1,266, janë infektuar mbi 17,660, ndërsa janë testuar rreth 73,000.

Këto të dhëna tregojnë se testimi agresiv dhe i vazhdueshëm është mjet i fuqishëm në luftën kundër koronavirusit.

Punonjësit shëndetësorë në Korenë e Jugut
Punonjësit shëndetësorë në Korenë e Jugut

Jeremy Konyndyk, nga Qendra e Uashingtonit për Zhvillim Global, thotë se testimi në masë mund t'iu japë vendeve një pamje më të qartë të shkallës së epidemisë.

Kur nuk mund të zbatohet, atëherë autoritetet duhet të ndërmarrin hapa më të ashpër, të tillë si kufizimi i lëvizjes, thekson Konjundiuk.

"Unë nuk ndihem rehat në situatat kur kufizimet e lëvizjes janë të imponuara. Kina e ka bërë këtë, por ka qenë në gjendje ta bëjë këtë sepse ka një popullsi që i bindet", thotë Konjundjuk.

Japonia dhe Shtetet e Bashkuara sidomos kanë probleme me organizimin e testimeve dhe janë disa javë pas rrugës së virusit. Në këto dy vende, shkalla e saktë e problemit nuk është ende e dukshme.

Në Gjermani nuk ka testime masive, por pas paralajmërimit të kancelares Angela Merkel se me gjasë 60-70 për qind e popullsisë mund të infektohet, opsioni i vetëm mbetet kufizimi i lëvizjes.

Në Korenë e Jugut, e cila ka pak më pak banorë se Italia - rreth 50 milionë - rreth 29,000 njerëz janë në izolim. Ka lëvizje të kufizuar në disa lagje, por deri më tani asnjë rajon nuk është shkëputur plotësisht nga pjesa tjetër e vendit.

Kore e Jugut: Rreziku i shkeljes së privatësisë

Seuli zyrtar thotë se ka nxjerrë mësime nga epidemia MERS më 2012, duke kërkuar të sigurojë sa më shumë informacion për publikun. Për këtë arsye ka zgjedhur të bëjë testime masive, përshirë edhe qytetarët me simptoma të buta, por që mund t’i infektojnë të tjerët.

Kjo gjë ka kërkuar edhe miratimin e një ligji që i ka dhënë qeverisë autoritet për të hyrë në të dhëna të individëve, duke përdorur kamerat mbikëqyrëse në vendet publike (CCTV), informacionet e marra përmes GPS-it nga telefonat mobilë dhe makinat, informacionet rreth kartave të kreditit dhe transaksioneve, e të tjera.

Përveçse ndihmojnë për të përcaktuar se kush duhet të testohet, të dhënat e mbledhura në këtë mënyrë i ndihmojnë edhe spitalet që të organizohen më mirë.

Qytetarët, për të cilët konstatohet se janë pozitivë, futen në vetizolim dhe vëzhgohen nga distanca përmes një aplikacioni në telefon ose kontrollohen rregullisht me thirrje telefonike, derisa të lirohet një shtrat spitalor.

Në atë moment, stafi mjekësor e transporton pacientin në spital, ku e vendos në një dhomë me ajër të kondicionuar. E gjithë kjo është falas, përfshirë edhe shtrimin në spital.

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Megjithatë, përgjigjja e Koresë së Jugut ndaj epidemisë nuk është e përsosur.

Edhe pse testet në më shumë se 209,000 raste kanë dalë negative, 18,000 njerëz të tjerë janë në pritje të rezultateve, që do të thotë se mund të priten më shumë raste të infektuara.

Numri i të infektuarve ka rënë nga kulmi i tij në mes të shkurtit, por autoritetet e Koresë së Jugut ka të ngjarë të përballen me më shumë sfida, pasi përpiqen të identifikojnë raste të reja dhe të frenojnë përhapjen e epidemisë.

Koreja e Jugut nuk ka maska të mjaftueshme mbrojtëse, andaj ka nisur t’i ndajë ato varësisht prioriteteve.

Dhe, e gjithë kjo qasje thuhet se pashmangshëm shkon në kurriz të privatësisë.

Sistemi i Koresë së Jugut ka prezantuar masa të detyrueshme që shkelin intimitetin dhe zbatimi i tyre varet nga gatishmëria e njerëzve për të hequr dorë nga diçka.

Përgjigjet tradicionale, të tilla si mbyllja dhe izolimi i pacientëve, mund të kenë vetëm efekt modest dhe të shkaktojnë probleme në shoqëritë e hapura, thotë zëvendësministri i Shëndetësisë i Koresë së Jugut, Kim Gang-lip.

Itali: Shtyhen operacionet

Italia dhe Koreja e Jugut kanë rreth 8,000 kilometra distancë gjeografike, por ato kanë disa ngjashmëri kur bëhet fjalë për koronavirusin.

Në të dyja vendet, epidemia ka shpërthyer në qytete më të vogla, që do të thotë se sëmundja ka kërcënuar menjëherë funksionimin e sistemit lokal shëndetësor, i cili edhe ashtu ka kapacitete të kufizuara.

Gjithashtu, në të dyja rastet, mjekët fillimisht i kanë injoruar udhëzimet për testime.

Në Itali, infeksioni i parë është gjetur te një 38-vjeçar, të cilit i dihet vetëm emri - Matia.

Ai fillimisht është diagnostikuar me grip dhe pasi u ka thënë mjekëve se nuk ka qenë në Kinë, ai është lënë i lirë, thotë Masimo Lombardo, shef i shërbimeve spitalore në qytetin Lodi.

Diagnostikimi i ri me koronavirus është bërë vetëm pasi është rikthyer në spital.

Atëbotë ka qenë në fuqi udhëzimi që nuk e obligonte testimin e qytetarëve që nuk kanë qenë në Kinë ose vende të tjera të prekura.

Disa ekspertë në Itali tani besojnë se Matia mund ta ketë kontraktuar sëmundjen në Gjermani.

Disa ditë më vonë, autoritetet e kanë ndryshuar qëndrimin, duke testuar vetëm qytetarët me simptoma, pasi kanë konsideruar se kjo është mënyra më efikase e shfrytëzimit të kapaciteteve në dispozicion.

Në atë kohë konsiderohej se rreziku i infeksionit ishte më i ulët te pacientët që nuk kanë simptoma.

Megjithatë, ishte një qasje e rrezikshme, sepse edhe njerëzit pa simptoma mund të jenë të infektuar dhe të përhapin virusin.

Rritja e numrit të testeve ka qenë një barrë e madhe për sistemin e kujdesit shëndetësor, thekson Masimo Antoneli, drejtor i kujdesit intensiv në Klinikën Universitare Gemelli IRCCS në Romë.

Italia, në thelb, ka një sistem shëndetësor shumë efikas, tregojnë studimet ndërkombëtare.

Sistemi shëndetësor atje merr më pak fonde nga shteti sesa mesatarja e BE-së - 8,9 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, ndërsa Koreja e Jugut 7.3 për qind.

Por, tani, sistemi italian i kujdesit shëndetësor është shumë i ngarkuar dhe operacionet që nuk janë urgjente shtyhen, për të çliruar shtretërit e kujdesit intensiv.

Meqenëse studimet sugjerojnë që çdo pacient i infektuar me koronavirus mund të infektojë edhe dy njerëz të tjerë, autoritetet në Lombardi paralajmërojnë se spitalet në rajon do të përballen me probleme serioze, nëse vazhdon përhapja e epidemisë.

Problemi do të bëhet edhe më serioz nëse virusi transmetohet në jugun e varfër të Italisë.

Situatën e komplikon edhe më shumë identifikimi i kontakteve që ka pasur personi i infektuar.

Një mjek në Bolonjë, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë për agjencinë Reuters se ka kaluar 12 orë për të identifikuar se me kë ka qenë në kontakt të afërt një pacient, në mënyrë që edhe ata persona të testoheshin pastaj.

"Ju mund ta bëni këtë nëse keni dy ose tri raste. Por, nëse ka më shumë, sistemi do të shembet...”, ka thënë mjeku nga Bolonja.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG