Ndërlidhjet

Pavarësisht armëpushimit, në Sudan vazhdojnë luftimet


Luftimet në Kartum të Sudanit më 15 prill 2023.
Luftimet në Kartum të Sudanit më 15 prill 2023.

Ushtria sudaneze dhe forca paramilitare kanë vazhduar luftimet në periferi të Kartumit, duke minuar marrëveshjen e armëpushimit, por ushtria shprehu gatishmërinë për zgjatjen e armëpushimit.

Në orët e vona të 26 prillit, ushtria tha se gjenerali Abdel Fattah al-Burhan ka thënë miratimin fillestar për planin e zgjatjes së armëpushimit edhe për 72 orë dhe ka dërguar një të dërguar të ushtrisë në kryeqytetin e Sudanit Jugor, Juba, për bisedime.

Paraprakisht, ushtria sudaneze dhe grupi paramilitar i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë u pajtuan për një armëpushim treditor, që skadon në orët e vona të së enjtes. Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm nga grupi paramilitar lidhur me propozimin për bisedime, të iniciuar nga një grup rajonal.

Ushtria e Sudanit tha se presidentët e Sudanit Jugor, Kenias dhe Xhibutit po punojnë në një propozim që përfshin edhe zgjatjen e armëpushimit dhe mbajtjen e bisedimeve mes dy forcave.

Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe komisionari i Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, kanë biseduar për të mundësuar ndaljen e luftimeve.

Që kur shpërtheu dhuna në Sudan më 15 prill janë vrarë të paktën 512 persona dhe janë plagosur pothuajse 4.200 të tjerë.

Banorët po përballen me mungesa të furnizimeve ushqimore dhe të ujit të pijes dhe sipas organizatave të huaja, një e treta e popullsisë prej 46 milionë banorësh kishte nevojë për ndihmë humanitare edhe para nisjes së luftimeve.

Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, më 15 prill midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.

Mosmarrëveshjet kryesore në planin për trazicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG