Luftime të ashpra tronditën kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, gjatë mëngjesit të 21 qershorit. Gjeneralët ndërluftues të Sudanit rifilluan luftimet vetëm pak minuta pasi skadoi armëpushimi i fundit i ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Arabia Saudite.
Edhe gjatë mbrëmjes së 20 qershorit u raportua për luftime, që bënë që selia e shërbimit të inteligjencës në kryeqytet të kaplohej nga zjarri.
Dy palët ndërluftuese e kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën se e kanë shkelur marrëveshjen për armëpushim 72-orësh.
Një burim i agjencisë së lajmeve AFP, brenda ushtrisë së rregullt të udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan, akuzoi paraushtarakët rivalë të Mohamed Hamdan Daglo për granatimin e ndërtesës.
Ndërsa, një burim brenda Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) tha se një “dron i ushtrisë bombardoi ndërtesën ku ishin mbledhur luftëtarët e RSF-së, duke shkaktuar një zjarr dhe shkatërrim të pjesshëm të selisë së inteligjencës”.
Mëngjesin e 21 qershorit, banorët e Omdurman, pranë Khartoumit, raportuan shkëmbime të rënda artilerie vetëm pak minuta pas përfundimit të armëpushimit në orën 6:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale.
Armëpushimi, i cili përkoi me një konferencë ndërkombëtare të donatorëve në Gjenevë më 19 qershor, solli një pushim të shkurtër nga luftimet për miliona civilët që janë bllokuar në kryeqytet.
Në mbarë vendin, më shumë se 2.000 njerëz janë vrarë që kur lufta për pushtet midis Burhan dhe Daglo shpërtheu në luftime më 15 prill, sipas të dhënave të Projektit të të Dhënave për Vendndodhjen dhe Ngjarjet e Konflikteve të Armatosura.
Më shumë se 2.5 milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre, nga të cilët rreth 550.000 kanë kërkuar strehim në vendet fqinje, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.