Ndërlidhjet

Intensifikohen betejat në Rafah


Palestinezët duke u larguar nga Rafahu. 28 maj 2024.
Palestinezët duke u larguar nga Rafahu. 28 maj 2024.

Banorët në Rafah, në jug të Gazës, kanë raportuar për intensifikim të granatimeve me artileri dhe të shtëna armësh më 30 maj, pasi Izraeli tha se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik në kufirin e territorit palestinez me Egjiptin.

Ushtria izraelite ka nisur inkursionin e saj në Rafah në fillim të majit, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare për shkak të shqetësimeve për fatin e palestinezëve që strehohen në këtë pjesë të Gazës.

Një sulm gjatë fundjavës shkaktoi një zjarr që vrau dhjetëra persona në një kamp të zhvendosurve, duke nxitur një dënim të fuqishëm ndërkombëtar.

Izraeli, që vazhdimisht është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pasi ky grup sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, tha një ditë më parë se mori nën kontroll një korridor strategjik në kufirin Gazë-Egjipt, teksa tha se dyshon se në atë zonë ka tunele që janë përdorur për kontrabandimin e armëve.

Në Rripin e Gazës, dëshmitarët raportuan për luftime në pjesën qendrore dhe perëndimore të Rafahut.

Dëshmitarët thanë po ashtu se forcat izraelite kanë shkatërruar disa ndërtesa në pjesën lindore të Rafahut. Kur Izraeli nisi inkursionin në këtë qytet më 7 maj, fillimisht u fokusua në pikëkalimin me Egjiptin, që është pikë kyçe për hyrjen e ndihmës humanitare.

Luftime dhe granatime me artileri po ashtu janë raportuar në Qytetin e Gazës, në veri të enklavës, teksa banorët kanë thënë se kanë parë tym duke dalë nga kampet e refugjatëve, Xhabalia dhe Beit Lahia.

Para se Izraeli të niste ofensivën në Rafah, Kombet e Bashkuara kishin vlerësuar se 1.4 milion banorë ishin strehuar atje. Që atëherë, më shumë se 1 milion banorë janë larguar nga zona.

Lufta, që nisi më 7 tetor pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, veçse ka vrarë mijëra persona. Hamasi vrau 1.200 persona dhe rrëmbeu 250 të tjerë, gjatë sulmit të paprecedent në tokën izraelite. Si pasojë e ofensivës ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli pretendon se ka vrarë 15.000 militantë.

XS
SM
MD
LG