Ndërlidhjet

Rusët marrin kontrollin e pjesës më të madhe të Severodonjeckut


Një ushtar ukrainas duke kaluar pranë një kapanoni të djegur gruri të bombarduar nga forcat ruse, në rajonin e Donetskut më 31 maj.
Një ushtar ukrainas duke kaluar pranë një kapanoni të djegur gruri të bombarduar nga forcat ruse, në rajonin e Donetskut më 31 maj.

Vazhdojnë të intensifikohen luftimet në lindje të Ukrainës, me forcat ruse që tashmë kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit kyç të Severodonjeckut në rajonin e Donbasit.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhanskut, Serhiy Hayday tha se trupat ruse tashmë kanë nën kontroll mbi 60 për qind të qytetit të Severodonjeckut. "Rusët po sulmojnë, po konsolidohen në qendër të Severodonjeckut, ndërsa vazhdojnë të shkatërrojnë infrastrukturën dhe objektet industriale. Një pjesë e trupave ukrainase tani janë "tërhequr në pozicione më të favorshme, të përgatitura paraprakisht", ndërsa trupat e tjera vazhdojnë "luftimet brenda qytetit".

Ministria britanike e mbrojtjes tha në përditësimin e saj të inteligjencës, më 1 qershor se sipas vlerësimeve të saj, "më shumë se gjysma e qytetit ka të ngjarë të bjerë në duart e forcave ruse dhe luftëtarëve çeçenë".

Në raportin e inteligjencës britanike thuhet se jashtë Donbasit, "Rusia vazhdon të kryejë sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës në të gjithë Ukrainën".

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha në përditësimin e datës 1 qershor se Rusia po "përqendronte përpjekjet e saj në kryerjen e operacioneve sulmuese" në zonën e Donjeckut.

Në Lyman, 60 kilometra në perëndim të Severodonjeckut, "luftimet vazhdojnë", sipas ushtrisë ukrainase, pavarësisht raportimeve të mëparshme se qyteti, një kryqëzim i rëndësishëm hekurudhor, kishte rënë në duart e rusëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy raportoi se forcat ukrainase kanë arritur të korrin sukses pranë qytetit jugor të Khersonit dhe po përparojnë në pjesë të rajonit të Harkivit në lindje të Kievit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara bënë të ditur të martën se do të dërgojnë në Ukrainë sistemet e raketave të artilerisë me rreze të lartë veprimi, të njohura si “HIMARS”, që mund të godasin me saktësi objektivat deri në 80 kilometra larg, ndërsa një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Ukraina ka dhënë garanci se nuk do të përdorë këto raketa për të goditur objektivat brenda territorit të Rusisë.

Ndërkohë, situata e bllokimit të eksporteve të grurit nga Ukraina është shumë shqetësuese dhe gruri nuk mund të përdoret si “armë lufte”, tha Papa Françesku, duke i bërë thirrje Rusisë të mos e përdorë grurin si një armë lufte.

Duke folur para mijëra njerëzve të mbledhur të mërkurën në sheshin e Shën Pjetrit, Papa tha se miliona njerëz vareshin nga gruri i Ukrainës.

“Bllokimi i eksporteve të grurit nga Ukraina është shumë shqetësues, sepse jeta e miliona njerëzve varet nga kjo, veçanërisht në vendet më të varfra. Ju lutem! Mos e përdorni grurin, një ushqim bazë, si armë lufte”, tha Papa Françesku.

Papa e ka dënuar vazhdimisht luftën pa përmendur drejtpërdrejt Rusinë apo Vladimir Putinin. Kjo ishte hera e parë që ai foli për krizën globale të ushqimit që ka sjellë kjo luftë.

Më 1 qershor, Kremlini tha përsëri se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga perëndimi dhe lëvizjet e Ukrainës, ishin përgjegjës për krizën e mundshme ushqimore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG