Pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i tha homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, më 21 shtator se një dërgesë e re armësh do të mbërrinte në Ukrainë "javën e ardhshme", Zelenskiy u përgjigj se paketa ka "pikërisht atë që u nevojitet tani ushtarëve tanë".
Kryesorja e dërgesës së re është ngarkesa e parë e tankeve Abrams të prodhuara në SHBA, të cilat me sa duket do të mbërrijnë me municionet e tyre të diskutueshme 120 milimetërshe me uranium të varfëruar.
Uraniumi i varfëruar (DU) është një nënprodukt i procesit të pasurimit të uraniumit që përdoret si lëndë djegëse bërthamore ose armë. Shtetet e Bashkuara kanë rezerva të mëdha të materialit, i cili në thelb është mbetje bërthamore që është 60 për qind po aq radioaktive sa uraniumi i papërpunuar.
Që në vitet 1970, materiali filloi të testohej në një model predhe, e ngjashme me predhat e shkrepura nga topat e tankeve të projektuara për të shpuar pllakat e forta të blindave ballore të përdorura në tanket sovjetike të asaj kohe.
Përparësitë e DU-së (uraniumit të varfëruar), si një predhë depërtuese në automjete të blinduara janë të shumta, po ashtu edhe polemikat që kanë shoqëruar vazhdimisht përdorimin e tij.
Uraniumi është elementi më i rëndë natyror në Tokë. Një kub prej 10 centimetrash i metalit peshon rreth 20 kilogramë, duke i dhënë një vrull praktikisht të pandalshëm dhe, kur lidhet me sasi të vogla titani, DU-ja fiton forcë të ngjashme me çelikun.
Ndryshe nga predhat tjera, që shtypen kur godasin, shigjetat antitank DU, "mprehen vetë" duke i prerë anët e tyre kur përplasen me blindën. Një karakteristikë e fundit makabre e materialit është aftësia e tij për të liruar një sprej avulli të tejnxehur që shpërthen në një top zjarri pasi depërton në mjetin e synuar.
Ky avull toksik e radioaktiv ka çuar në dekada kërkimesh, aktivizmi dhe frike për ndikimin e uraniumit të varfëruar te njerëzit dhe mjedisi. Pas Luftës së Parë të Gjirit, metali u fajësua për problemet serioze shëndetësore që pësuan veteranët e kësaj lufte, e njohur si "Sindroma e Luftës së Gjirit".
Një studim i vitit 2008 nga Departamenti i Çështjeve të Veteranëve të SHBA-së, nuk gjeti asnjë lidhje midis ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar dhe problemeve të përhapura shëndetësore; edhe NATO-ja kishte arritur në të njëjtin përfundim më 2005.
Hulumtimet e mëvonshme, megjithatë, e kanë lidhur ekspozimin e uraniumit të varfëruar në kohën e luftës me probleme të shumta shëndetësore, duke përfshirë rritjen e shkallës së sëmundjes së kancerit në mesin e ushtarëve dhe civilëve që janë ekspozuar ndaj metalit.
Britania e Madhe e ka furnizuar Kievin me municione që përmbajnë uranium të varfëruar (DU) për tanket e saj Challenger që drejtohen nga ekuipazhe ukrainase që nga fillimi i vitit 2023.
Në mars, Kremlini iu përgjigj furishëm lajmit se predhat - për të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se kishin një "komponent bërthamor" - do t'u jepeshin forcave ukrainase.
Putini pretendon se Rusia posedon "qindra mijëra" predha me uranium të varfëruar si pjesë e armatimit të saj, dhe se "Rusisë do t'i duhet të përgjigjet në përputhje me rrethanat" ndaj municioneve, me të cilat furnizohet Ukraina.