Reuters & RFE/RL
Duke përdorur donacione nga Japonia, Fuminori Tsuchiko mban hapur një kafene ku shërbehen falas banorët e Harkivit, qytetit të goditur nga lufta.
Kjo ishte skena brenda "FuMi Caffe" ndërsa banorët vendas u dyndën në kafenenë në distriktin verilindor Saltivka të Harkivit, më 27 prill.
Periferia e qytetit ukrainas u godit rëndë nga bombardimet ruse në ditët e para të pushtimit rus të vitit 2022. Saltivka mbetet e dëmtuar dhe kryesisht pak e banuar.
Kafeneja drejtohet nga Fuminori Tsuchiko (në foto), i cili, së bashku me një ekip vullnetarësh, u shpërndan ushqim falas rreth 500 banorëve të Harkivit gjatë tri orëve sa është e hapur kafeneja çdo ditë.
Tsuchiko, 75-vjeçar, thotë se ky operacion humanitar financohet nga donacionet që kryesisht vijnë nga Japonia.
Tsuchiko mbërriti për herë të parë në Ukrainë në fillim të shkurtit 2022.
I shtyrë nga Ambasada japoneze, ai u nis për në Poloni pak para se të fillonte pushtimi i plotë rus. Megjithatë, shumë shpejt ai u kthye në Ukrainë. Banori vendas i Tokios kaloi shtatë muaj duke jetuar së bashku me banorët e Harkiv brenda sistemit të metrosë së qytetit, ndërsa predha dhe raketa ruse binin si shi gjatë pjesës më të madhe të vitit 2022.
Tsuchiko i tha një gazetari ukrainas: “Do të jetoj në Harkiv edhe pas fitores. Unë nuk kam shtëpi në Japoni. Shita gjithçka. Kështu që unë jam këtu përgjithmonë dhe do ta ndihmoj Harkivin”.
Anna Tovstopyatova, një kliente në kafene më 27 prill, i tha një gazetari nga agjencia Reuters se kishte ardhur për të bërë një donacion.
"Është e mrekullueshme që ka njerëz kaq të sinqertë, me zemër dhe shpirt të hapur, të cilët sakrifikojnë jetën dhe kohën e tyre për të ndihmuar dhe për të dhënë shpresë", tha Tovstopyatova.