Ndërlidhjet

Djali i zëdhënësit të Putinit “iu bashkua Wagnerit”


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, djali i të cilit tha se iu bashkua Wagnerit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, djali i të cilit tha se iu bashkua Wagnerit.

Djali 33-vjeçar i zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ka shërbyer me grupin mercenar Wagner në Ukrainë për gati gjashtë muaj.

“Ishte detyra ime... Nuk mund të ulem në një anë, duke parë sesi miqtë dhe të tjerët kanë shkuar atje”, tha Nikolai Peskov.

Wagner është një “kompani ushtarake private” në Rusi dhe tani ka famë ndërkombëtare për krimet e dyshuara të luftës dhe abuzime të tjera në Ukrainë.

Grupi ka rekrutuar mijëra të dënuar nga burgjet, pas humbjeve të mëdha.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Nikolai Peskovit për shërbimin e tij në Wagner - trupat e të cilit janë përfshirë në luftime intensive për kontrollin e qytetit Bahmut në Ukrainë, tash e sa muaj.

Është e rrallë që një anëtar i elitës ruse të zgjedhë t’i bashkohet grupit, pasi shumë si ai kanë dalë jashtë Rusisë për të shmangur rekrutimin në ushtri të rregullt.

Nikolai Peskov njihet gjithashtu si Nikolai Choles dhe flet rrjedhshëm anglisht, pasi ka kaluar disa vite në Londër. Ai ka punuar si korrespondent për transmetuesin shtetëror rus, RT.

Edhe ai, edhe babai i tij janë nën sanksione të SHBA-së.

Në një intervistë për të përditshmen pro Kremlinit, Komsomolskaya Pravda, ai tha se ka qenë vendim i tij për t’u bashkuar me Wagnerin, por nuk e dinte si dhe “kështu, është dashur t’i drejtohem babait tim dhe ai më ka ndihmuar”, tha ai.

Ai shtoi se ka përdorur një letërnjoftim fals, në mënyrë që shokët e tij në Wagner të mos dinin për lidhjet e tij me Kremlinin.

Pretendimet e Nikolai Peskovit përkojnë me një përpjekje të re të madhe të ushtrisë ruse për rekrutim. Reklama të financuara nga shteti raportohet se janë shpërndarë gjithandej në Rusi, bashkë me thirrjet që u kërkojnë burrave të bëjnë “detyrën e tyre patriotike” në konfliktin në Ukrainë.

Dhjetëra mijëra burra janë larguar nga Rusia shtatorin e kaluar për të shmangur rekrutimin, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur “mobilizim të pjesshëm”.
Nikolai Peskov nuk zbuloi se ku ka shërbyer saktësisht në Ukrainë.

Por, në komentet e tij për mediat ruse, shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, dha më shumë detaje.

Pasi iu bashkua grupit me dokumente false, tha ai, djali i Peskovit iu nënshtrua një trajnimi trijavësh.

Sipas Prigozhinit, Dmitry Peskov i ka kërkuar atij që “ta marrë [Nikolain] si një gjuajtës të thjeshtë artilerie”.

Prigozhin ka qenë shumë kritik ndaj gjeneralëve rusë në Ukrainë, duke i akuzuar ata për gabime dhe për shpërndarje të pamjaftueshme të pajisjeve për Wagnerin. Prigozhin ka thënë, po ashtu, se zyrtarët ushtarakë nuk i njohin sakrificat e grupit të tij.

Muajin e kaluar, Putin i ka bërë të paligjshme kritikat publike ndaj Wagnerit ose forcave të armatosura të rregullta. Dënimet për “diskreditimin” e çdo pjese të ushtrisë ruse përfshijnë burgim deri në shtatë vjet.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, Wagner komandon 50.000 trupa në Ukrainë dhe është bërë një komponent kyç në këtë luftë. Sipas Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, rreth 80% e luftëtarëve të tij janë të dënuar që janë nxjerrë nga burgjet.

Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur Wagnerin organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG