Ndërlidhjet

Bisedimet sjellin shpresë për një armëpushim në Jemen


Forcat besnike të Qeverisë së Jemenit. Fotografi nga arkivi.
Forcat besnike të Qeverisë së Jemenit. Fotografi nga arkivi.

Një delegacion i Arabisë Saudite po qëndron në Sana të Jemenit për bisedime me lëvizjen rebele Huthi, bisedime që synojnë arritjen e një armëpushimi të ri, potencialisht të përhershëm.

Po ashtu, ekipi ndërmjetësues nga Omani ka udhëtuar për në Jemen.

Kryeqyteti jemenas kontrollohet nga rebelët Huthi që kur ata larguan forcat e Qeverisë së Jemenit më 2015.

Pak pas kësaj, shpërtheu lufta midis rebelëve Huthi dhe koalicionit të udhëhequr nga sauditët, që mbështesin Qeverinë jemenase.

Lufta ka vazhduar që atëherë, duke vrarë dhjetëra mijëra jemenas, teksa rreth 80 për qind e popullatës varet nga ndihmat.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga pala saudite, por mediat e lidhura me rebelët Huthi kanë raportuar se delegacionet e sauditëve dhe nga Omani gjenden në Sana.

Një fotografi e publikuar ka shfaqur liderin e rebelëve Huthi, Mohammed Ali al-Houthi duke u përshëndetur me një zyrtar saudit.

Shtrëngimi i duarve mes kreut të rebelëve dhe zyrtarit saudit, po shihet si shenjë e rëndësishme për vullnet nga të dyja palët për të arritur një marrëveshje që mund t’i japë fund luftës.

Disa media, duke u thirrur në burime të ndryshme, kanë raportuar se një marrëveshje mund të nënshkruhet para fundit të muajit. Megjithatë, nuk është publikuar asnjë detaj i ndonjë marrëveshjeje eventuale.

Këto bisedime janë nismë paralele me procesin e Kombeve të Bashkuara, që rezultoi me një armëpushim të përkohshëm vitin e kaluar.

Por, konflikti në Jemen është kompleks dhe një armëpushim i përhershëm mes koalicionit të udhëhequr nga sauditë dhe rebelëve Huthi jo domosdo do t’i jepte fund luftimeve. Kjo pasi në Jemen ka edhe fraksione të tjera, sikurse Al-Kaida, që ende luftojnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG