Ndërlidhjet

Lufta kundër korrupsionit larg premtimeve të pushtetit


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut - Foto nga arkivi.
Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut - Foto nga arkivi.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar bazuar në paralajmërimet e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë me intensitet të lartë gjatë vitit 2021, edhe pse vitin e kaluar nuk janë shënuar rezultatet e pritura, pavarësisht zotimeve të shumta të qeverisë.

Formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve të 15 korrikut rezultoi me formimin e një dikasteri të posaçëm për luftë kundër korrupsionit, me të cilin udhëheq zëvendëskryeministri Lupço Nikollovski.

Ai, si hap të parë në luftën kundër korrupsionit doli me premtimin se asnjë anëtar apo drejtor në organe të ndryshme shtetërore nuk do të emërohet pa konkurs paraprak, por në praktikë kjo nuk u realizua pasi të gjitha emërimet u bënë nga qeveria sikurse dhe në të kaluarën.

Tre muaj e gjysmë pas marrjes së këtij posti, Nikollovski thotë se duhet të ketë durim, pasi, siç shprehet, gjatë kësaj periudhe janë detektuar të gjitha dobësitë e sistemit, porse lufta kundër dukurive negative nuk do të jetë e shpejtë, por as edhe e lehtë.

“Kjo është një betejë që do të zgjasë shumë, sikur edhe në çdo shtet të Evropës që ajo zgjat me dekada. Ne kemi vullnet për të pasur një sistem funksional në interes të qytetarëve, pa ndikime të grupeve të ndryshme të interesit. Por, që të kemi rend dhe sundim të ligjit, nevojitet angazhimi i të gjithëve që nga institucionet, gjyqësori, ekspertët e fushës, mediat e kështu me radhë. Besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit”, deklaron Nikollovski.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është një organ tjetër që, po ashtu, merret me detektimin e dukurive negative, të cilat i paraqet para organit të akuzës për procedim të mëtejmë.

Kryetarja e Komisionit, Biljana Jovanovska, thotë se institucioni që ajo drejton gjatë këtyre dy vjetëve të fundit ka qenë efikas po pa treguar nëse nismat që kanë ndërmarrë, kanë pasur ndonjë epilog nga organet e drejtësisë.

“Gjatë kësaj periudhe komisioni ka ngritur më shumë se 340 procedura mbi bazën e dyshimeve për prani të korrupsionit, ndërsa ka pranuar dhe shqyrtuar rreth 1700 denoncime nga qytetarë, shoqata dhe institucione për dyshime për prani të korrupsionit, keqpërdorim dhe konflikt të interesit. Kemi iniciuar 374 lëndë për prani të korrupsionit, 156 për konflikt të interesit, 113 për kontroll të pasurisë së zyrtarëve, ndërsa kemi miratuar edhe strategjinë për luftimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit për periudhën 2020-2024”, thotë Jovanovska.

Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Anti-korrupsion nuk beson se qeveria do të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit, ndërsa kritikat e tij kanë të bëjnë me formimin e dikasterit të ri, që, sipas tij, ua merr kompetencat organeve tjera.

“Marrja e kompetencave apo krijimi i institucioneve paralele për luftë kundër korrupsionit nuk çon në rrugë të mbarë për parandalimin e korrupsionit. Nga momenti kur krijuan ministri për luftë kundër korrupsionit, lënë përshtypjen se lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë e drejtë. Ata bëjnë paralelizma apo ndikojnë që ta vënë nën hije punën e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit. Mbikëqyrin atë që duan të mbikëqyrin apo e procedojnë atë që duan si pushtet ta procedojnë”, thotë Musa.

Ai thotë se lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm nëse organeve ekzistuese u lihen duart e lira për të nisur fillimisht me hetimin e pasurisë së funksionarëve.

“Duhet të nisë së pari nga pushteti, hetimi i pasurisë së funksionarëve që nga miratimi i ligjit në vitin 2003. Rruga e vetme është hetimi dhe konfiskimi i pasurisë të personave, të cilët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke krijuar pasuri të cilën nuk munden ta argumentojnë apo nuk kanë paguar tatime. Le të nisin me hetimin e tyre, pra të argumentojnë pasurinë që e kanë arritur”, thotë Arif Musa.

Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci thotë se fuqia e një shteti në luftën kundër korrupsionit qëndron në pavarësinë dhe kapacitetet e institucioneve që të përballen me këtë fenomen.

“Në vitin 2021 duhet të presim më shumë punë dhe përkushtim në sigurimin e pavarësisë së institucioneve që merren me luftimin e korrupsionit”.

“Rol të madh duhet të luajë Komisioni Anti-korrupsion, por puna e tij nuk do të ketë asnjë efekt nëse organet gjyqësore nuk kryejnë punën e tyre në hetimin e të gjitha nismave nga komisioni antikorrupsion, por edhe të organeve tjera siç janë revizioni shtetëror, inspektoratet e organe tjera që duhet të jenë të pavarura në punën e tyre”, thotë Popoviq.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG