Në bazë të rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga mbi 98 për qind të votave të numëruara nga 3.418 vendvotime, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev ka arritur të sigurojë fitore në 37 komuna që në raundin e parë, kundrejt VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, e cila ka siguruar fitore në raundin e parë në tri komuna.
Ndërkohë, sa u përket komunave ku do të shkohet në balotazh, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë prin në 50 komuna, përderisa VMRO-DPMNE, prin në 9 komuna.
Përderisa te blloku politik shqiptar, është Bashkimi Demokratik për Integrim që cila prin në 12 komuna, por do të shkojë në balotazh (rrethin e dytë) me Aleancën për Shqiptarët në pesë komuna, kurse në shtatë komuna do të shkojnë në balotazh me Lëvizjen Besa disa kandidatë të partive politike maqedonase.
Në qytetin e Shkupit, që ngërthen në vete dhjetë komuna, kandidati i LSDM-së, Petre Shilegov udhëheqë me 50,7 për qind në krahasim me kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Koce Trajanovski, me 35,99 për qind.
Kandidatët e LSDM-së kanë dalë me numër më të madh të votave në të gjitha komunat e qytetit të Shkupit, siç është ajo e Karposhit, duke korrur fitore që në raundin e parë. Ndërkohë si parti që ka dalë e para LSDM-ja, do të shkojë në balotazh në Gjorce Petrov, Butelit, Aerodromit, Kisella Vodë, Gazi Babë dhe komunën Qendër.
Në anën tjetër, subjekti politik shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim prin me vota në dy komunat tjera me shumicë shqiptare në Shkup, përkatësisht në Çair dhe Saraj, por megjithatë do të shkojë në balotazh me Lëvizjen Besa, ngase nuk ka siguruar shumicën e nevojshme në rrethin e parë.
Ndonëse Komisioni Shtetëror Zgjedhor ende nuk e ka shpallur fitoren e kandidatit të LSDM-së, Petre Shilegovit që në raundin e parë, ai ka thënë se tashmë e ka siguruar fitoren.
“Në Shkup kemi fitore që në raundin e parë. Ky rezultat për mua paraqet nder të madh, por edhe detyrim më të madh. Administrata e re e qytetit që do ta drejtoj do të jetë shërbimi i qytetarëve”, ka deklaruar për mediat, Petre Shilegov.
Duke komentuar fitoren e thellë që ka shënuar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, kryetari i saj dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se qytetarët me votën e tyre dëshmuan se po përfundon koha e nacionalizmave në Maqedoni.
“Pamë se nacionalizmi dje nuk kaloi as në Maqedoninë lindore e as atë perëndimore. Askund nuk gjeti mbështetje nacionalizmi gjatë zgjedhjeve të djeshme”, tha Zaev.
Ai ka ftuar edhe opozitën që të reflektojë dhe të ndryshojë qëndrimet e saja kundrejt politikave që ka zhvilluar gjatë muajve të fundit.
Ndryshe, asociacioni MOST, i cili ka ndjekur dhe vëzhguar nga afër procesin zgjedhor ka konstatuar se gjatë zgjedhjeve kishte edhe parregullsi, por falë reagimit të institucioneve përkatëse, MOST thekson se ato me kohë janë eliminuar duke mos ndikuar në mbarëvajtjen e procesit.