Në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë vitit 2017 janë kryer 128 operacione në zemër të hapur.
Por, janë edhe 350 pacientë me probleme në zemër që kanë nevojë për intervenim, të cilët prej vitesh janë në listë të pritjes.
Basri Sejdiu, ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se rastet urgjente për operim kryhen në klinikë dhe nuk presin, kurse për raste tjera, ndodh të pritet edhe me vite. Sipas tij, gjatë vitit 2017, janë operuar pacientët që kanë qenë në listë, që nga vitit 2015.
“Një kohë, gjatë vitit 2017, kemi pasur problem me mungesë materiali dhe nuk kemi mundur të punojmë. Një prej problemeve aktuale e që po zgjat është hapja e sallës së dytë operative, në mënyrë që të kemi numër më të madh të operacioneve. Janë diku 350 njerëz në pritje".
"Pra, lista është e gjatë, por mendojmë që me këto kapacitete që i kemi dhe me pranimin e stafit të infermierëve mund t’i kryejmë edhe shumë raste. Po planifikojmë që këtë vit t’i kryejmë 250 operacione. Shumica e njerëzve që janë në listë të pritjes, zakonisht presin, por është zgjidhje individuale e secilit se ku merr vendim të shkojë”, thotë Sejdiu.
Ndryshe, Klinika e Kardiokirurgjisë prej vitesh ka funksionuar me vetëm dy kardiokirurgë, derisa së fundmi janë punësuar edhe dy të tjerë me kontrata të rregullta dhe dy mjekë me kontrata mbi vepër.
Për një kohë kjo klinikë ishte mbyllur në mungesë të stafit profesional si dhe mungesës së madhe të aparaturës dhe gjërave të nevojshme për operim në zemër të hapur. Ndërsa, në tetor të vitit 2015, ishte funksionalizuar sërish me vetëm dy kardiokirurgë dhe kishte operuar shumë pacientë.
Operacionet në zemër të hapur, një shërbim që gjatë viteve nuk ka mundur të kryhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientët i kanë bërë jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ka të ndarë për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro në vit, ndërkohë që kërkesat nga pacientët janë shumë më të mëdha.
Kardiokirurgu Adem Grbolar thotë se gjatë ditës në këtë klinikë kryhet vetëm një operacion. Ai shpjegon se po të kishin edhe një sallë operative, do të mund të kryheshin edhe dy operacione në ditë, me çka do të reduktohej lista e pacientëve në pritje për intervenime.
“Lista e pritjes është e gjatë, por ne kemi nevojë për kapacitete shtesë, si dhe staf të mesëm. Kemi nevojë shumë edhe për një sallë shtesë dhe do të mund të kryheshin dy operime gjatë ditës. Qëllimi ynë është që ta reduktojmë këtë listë, por kjo listë me pacientë është e bartur prej vitesh”, thekson Grbolar.
Po ashtu, edhe rastet e fëmijëve të lindur me anomali në zemër, vazhdojnë të mos operohen në Kosovë. Kjo në mungesë të shërbimit të Kardiokirurgjisë Pediatrike.
Gjatë një viti, sipas profesionistëve shëndetësorë, rreth 150 fëmijë kërkojnë ndihmë për intervenim në zemër.
Facebook Forum