Ndërlidhjet

Lista Serbe mohon akuzat e nënkryetares së Zveçanit për djegien e lokalit


Lokali i djegur në Zveçan që ishte në pronësi të nënkryetares të komunës, Natasha Tomaniq.
Lokali i djegur në Zveçan që ishte në pronësi të nënkryetares të komunës, Natasha Tomaniq.

Lista Serbe tha se dënon “insinuatat dhe akuzat e rreme” ndaj këtij subjekti politik lidhur me djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Më 8 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi “elementet kriminale”, ndërkaq nënkryetarja e Zveçanit, Natasha Tomaniq, akuzoi Listën Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – lidhur me djegien e lokalit në pronësi të saj.

Tomaniq është nënkryetare e komunës së Zveçanit, që funksionon sipas sistemit të Kosovës.

Lista Serbe hodhi dyshime për motivin e zjarrit në lokalin në pronësi të Tomaniqit, duke thënë se ka paralajmërime se në atë vend do të ndërtohet një lokal edhe më i madh “me njerëzit nga jugu” dhe me paratë e Prishtinës, “pa leje, dhe kushedi se për çfarë qëllimi dhe për këtë Lista Serbe fajësohet politikisht”.

“Interesante se si Natasha Tomaniq, sikurse shefi i saj, Albin Kurti, dinë shkakun e zjarrit para se të kryhet ndonjë hetim dhe të dalin rezultatet nga shërbimet profesionale”, tha Lista Serbe përmes një reagimi më 9 mars.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është duke hetuar rastin e djegies së lokalit, që ndodhi në orët e para të 8 marsit, duke theksuar se ka dyshime se zjarrvënia ishte e qëllimshme.

Tomaniq deklaroi për REL-in se dyshon që motivi i zjarrvënies është se ajo ka ndihmuar serbët në veri të Kosovës të punësohen në institucionet e Kosovës.

Ajo theksoi se aktivitetet e saj “nuk përshtaten” me Listën Serbe.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi “elementet kriminale” në Zveçan për këtë ngjarje.

"Ky duket të jetë 'urimi' i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhon", shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.

Kjo nuk ishte hera e parë që pronat personale të pjesëtarëve të komunitetit serb, në komunat në veri të banuara me shumicë serbe, u vihet flaka.

Në vitin 2023 ishin djegur dhjetëra vetura, pasi pronarët e tyre i kishin konvertuar targat nga ato serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Për shkak të çështjes së targave të makinave, pjesëtarët e komunitetit serb, me nismën e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Ndërkaq, pas zgjedhjeve të prillit të vitit 2023 në katër komunat në veri të Kosovës u zgjodhën kryetarë shqiptarë. Shumica e nënkryetarëve në këto komuna janë nga komuniteti serb.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG