Ndërlidhjet

Lista Serbe thotë se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit


Një qendër votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për katër komunat në veri të Kosovës, 21 prill 2024.
Një qendër votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për katër komunat në veri të Kosovës, 21 prill 2024.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.

Lista Serbe s’lejohet në Kuvendin e Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:41 0:00

Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike.

Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe tha: “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”.

“Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, tha ajo.

Deri në njoftimin e së premtes nuk ka qenë plotësisht e qartë nëse Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – do të merrte pjesë në zgjedhje, edhe pse kryetari i saj, Zllatan Ellek, kishte paralajmëruar pjesëmarrjen muajin e kaluar.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe janë të vetmit që përfaqësojnë interesat e popullit serb në Kosovë dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi një halë në sy për regjimin e [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti, por edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë”, tha Lista Serbe, e cila i ka bojoktuar seanca parlamentare prej nëntorit të vitit 2022.

Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.

Deputetët e saj nuk marrin pjesë në seanca, për shkak të “aksionit strategjik” - siç e kanë cilësuar ata bojkotimin e institucioneve të Kosovës - por paraqiten një herë në gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet.

Deri në incidentin e së enjtes, deputetët e Listës Serbe ishin nënshkruar në Kuvend pa pengesa.

Instituti Demokratik i Kosovës tha të enjten se deputetët e Listës Serbe u penguan jashtëligjshëm nga kryetari Konjufca dhe deputetët e shumicës parlamentare për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

"Megjithëse Lista Serbe ka bojkotuar punimet e Kuvendit që nga viti 2022, dhe të njëjtit janë paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit, pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit", tha Instituti, duke shtuar se në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesmarrjen në punimet e Kuvendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG