Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë tentuar që të pengojnë deputetët e Listës Serbe që të nënshkruhen, në mënyrë që të marrin pagën e deputetit dhe të mos e humbin mandatin.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar provokim veprimin e deputetëve të Listës Serbe. që shkuan në sallë plenare për t’u nënshkruar, duke thënë se ata vijnë një herë në gjashtë muaj “për të keqpërdorur paratë e taksapaguesve” të Kosovës. Ai më pas ka ndërprerë seancën plenare më 5 dhejtor.
“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje një herë në gjashtë muaj të vijnë me keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel [Millan] Radoiçiq. E keni guxim të vini në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj që ta lironi këtë sallë”, tha Konjufca.
Deputetët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, që nga fundi i vitit 2022 janë tërhequr nga pjesëmarrja në seancat plenare. Atëbotë, nga institucionet e Kosovës në veri u tërhoqën punonjësit serbë, përfshirë policët, gjykatësit e prokurorët, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.
Këta deputetë nuk marrin pjesë në seanca, për shkak të “aksionit strategjik” - siç e kanë cilësuar ata bojkotimin e institucioneve të Kosovës - por paraqiten një herë në gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet.
Deri më tani, deputetët e Listës Serbe janë nënshkruar në Kuvend, pa pengesa.
Në një video të publikuar nga kryediplomati i Serbisë, Marko Gjuriq, dëgjohet një deputete shqiptare duke u thënë deputetëve të Listës Serbe që të largohen nga salla, pasi janë nënshkruar.
Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas ngjarjeve në Kuvend, duke thënë se deputetët e Listës Serbe janë penguar jashtëligjshëm nga kryetari Konjufca dhe deputetët e shumicës parlamentare për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
"Megjithëse Lista Serbe ka bojkotuar punimet e Kuvendit që nga viti 2022, dhe të njëjtit janë paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit, pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit", tha Instituti, duke shtuar se në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesmarrjen në punimet e Kuvendit.
"Sipas ligjit, deputetët i nënshtrohen vetëm ndërgjegjes së tyre, andaj edhe bojkoti – si mjet politik – ndonëse e dobëson efikasitetin e Kuvendit dhe cenon përfaqësimin e interesave të qytetarëve, nuk mund të përdoret si arsye për pengim të pjesëmarrjes së deputetëve në punimet e Kuvendit", tha Instituti Demokratik i Kosovës.
Serbia: Deputetëve të Listës Serbe po synohet t’u merret mandati
Lidhur me ngjarjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës kanë reaguar edhe zyrtët në Serbi. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, përmes një postimi në Instagram, akuzoi Konjufcën dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për ofendim dhe përjashtim nga salla plenare të deputetëve të Listës Serbe.
"Kjo lëvizje synon të bllokojë pjesëmarrjen e tyre në seancë dhe me forcë t'ua marrin mandatet", tha ai, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë për këtë zhvillim dhe të "sigurojë mbrojtjen e proceseve demokratike dhe të drejtave të minoriteteve".
Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se me ndalimin e deputetëve të Listës Serbe që të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, “[kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti në mënyrë të qartë tregoi se Lista Serbe është pengesë për të, pasi mbron interesat e popullit serb”.
“Beogradi dhe deputetët e Listës Serbe kanë theksuar qartë disa herë se Kurti dëshiron që në vendet e rezervuara për deputetët serbë të instalojë serbë të përshtatshëm për të, e jo ata që janë luftëtarë të vërtetë për të drejtat e popullit serb”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se deputetët e Listës Serbe “janë zgjedhur me votat e popullit serb”.
“Populli serb ua ka dhënë vendet dhe legjitimitetin dhe Kurti nuk mund t'ua heqë mandatet apo t'u ndalojë pjesëmarrjen”, përfundoi Petkoviq.
Gjatë fjalës në seancën e 5 dhjetorit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, iu referua Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Gjatë sulmit në Banjskë, që institucionet e Kosovës e cilësojnë terrorist dhe e fajësojnë Serbinë se qëndron prapa tij, u vra një polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, përfshirë kundër Radoiçiqit, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre gjenden në Kosovë.
Kosova kërkon arrestimin dhe ekstradimin e Radoiçiqit.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Autoritetet gjyqësore në Serbi – shtet që po kryen hetime për sulmin në Banjskë – ka thënë se së shpejti do të merret një vendim për ngritjen ose jo të një aktakuze ndaj Radoiçiqit sa i përket sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.