Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, është liruar nga një gjykatë amerikane të mërkurën në ishullin amerikan të Paqësorit, Saipan, pasi u deklarua i fajshëm për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh në një marrëveshje që ia mundësoi atij të kthehet menjëherë si njeri i lirë në vendlindje, Australi.
Lirimi i tij i jep fund një sage ligjore 14-vjeçare, gjatë të cilës ai i kaloi më shumë se pesë vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britani të Madhe dhe shtatë vjet të tjera në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku e luftoi ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, pasi përballej me 18 akuza penale.
Gjatë një seance që zgjati tri orë të mërkurën, Assange u deklarua i fajshëm për një akuzë penale, konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane.
Por, ai tha se kishte besuar se veprimtaria e tij po mbrohej nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shprehjes.
“Duke punuar si gazetar, unë e nxita burimin tim të më japë informata për të cilat thuhej se ishin të klasifikuara, në mënyrë që t’i publikoja”, tha Assange në gjykatë.
“Besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë veprimtari, por e pranoj se ishte... shkelje e statutit të spiunazhit”, shtoi ai.
Gjykatësja Ramona V. Manglona e liroi Assangen pasi ai e pranoi fajësinë, në bazë të marrëveshjes me prokurorët amerikanë, dhe pasi ai i kreu tashmë pesë vjet burgim në burgun e Londrës.
“Ne besojmë fuqishëm se Assange nuk është dashur të akuzohej kurrë në bazë të Aktit të Spiunazhit”, tha avokati i tij amerikan, Barry Pollack, pas seancës.
Ai theksoi se puna e WikiLeaks do të vazhdojë.
Avokatja e tij britanike, Jennifer Robinson, e falënderoi Qeverinë e Australisë për diplomacinë e saj shumëvjeçare për ta siguruar lirimin e Assange.
“Është një lehtësim i madh për Julian Assange, për familjen e tij, miqtë e tij dhe mbështetësit e tij, si dhe për ne dhe secilin që beson në lirinë e shprehjes, që ai tani mund të kthehet në Australi dhe të ribashkohet me familje”, tha ajo.
Assange, 52 vjeç, u largua nga gjykata pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të mbledhur pranë gjykatës.
Ai u largua nga ishulli Saipan me një avion privat dhe pritet të mbërrijë pas disa orësh në kryeqytetin australian Kanberra.
Assange ishte pajtuar të deklarohej i fajshëm për një akuzë penale, sipas dosjes së Gjykatës amerikane të Qarkut në ishujt verior Mariana.
Prokurorët thanë se u vendos që seanca të mbahej në ishullin amerikan Saipan të Oqeanit Paqësor pasi Assange nuk kishte pranuar të udhëtonte në SHBA dhe pasi ishulli ndodhej afër Australisë.
Saga e gjatë
Assange i kaloi më shumë se pesë vjet në atë që gjykatësja Mangola e cilësoi si njërin prej burgjeve më të ashpra britanike, si dhe shtatë vjet i fshehur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku luftoi kundër akuzave për krim seksual në Suedi dhe kundër ekstradimit në SHBA.
Gjatë qëndrimit në burgun Belmarsh, Assange u martua me partneren e vet Stella, me të cilët bëri dy fëmijë gjatë kohës sa u fsheh në Ambasadën ekuadoriane.
Mbështetësit e vet e shohin Assangen si viktimë, sepse ai zbuloi prapësi dhe krime të mundshme amerikane, përfshirë në konfliktet në Afganistan dhe Irak.
Uashingtoni ka thënë se publikimi i dokumenteve të fshehta nga ai vuri në rrezik jetë njerëzish.
Qeveria australiane punoi për lirimin e tij dhe e ngriti çështjen e tij me Shtetet e Bashkuara disa herë.
“Kjo nuk është diçka që ka ndodhur në 24 orët e fundit”, tha kryeministri i Australisë, Anthony Albanese të mërkurën.
“Kjo është diçka që është shqyrtuar, me durim, dicka për të cilën është punuar me kujdes, sepse kështu sillemi ne në Australi”, shtoi ai.