Pas vërejtjeve të Komisionit të Venedikut në prill të këtij viti, sërish ka pësuar ndryshime Ligji për informatorët, i njohur edhe si Ligji për “fishkëllyesit”. Ky ligj, për herë të parë në Maqedoni ishte miratuar gjatë vitit 2015, por i njëjti ka hyrë në fuqi më 2017.
Me ndryshimet ligjore, që kanë të bëjnë me mbrotjen e informatorëve, synohet të bëhet harmonizimi i dispozitave ligjore që i rregullojnë kanalet në të gjitha instancat e sistemit të sigurisë për mbrojtjen e informatorëve, përkatësisht ata që denoncojnë krimin.
Por, ekspertët thonë se tek qytetarët që dëshirojnë të denoncojnë krimin edhe pse mund të disponojnë edhe fakte, ende ekziston frika dhe pasiguria se ata do të përballen me presione të ndryshme, ndërkohë nuk janë të vetëdijshëm se pa ata nuk do të zbuloheshin shumë skandale kriminale.
Organizatat joqeveritare, por edhe ekspertët juridikë thonë se autoritetet përkatëse të shtetit duhet të bëjnë përpjekje për të informuar qytetarët se tani garantohet një siguri më e lartë për ata që denoncojnë veprime të ndryshe kriminale, përkatësisht ata të cilët denoncojnë krime të ndryshme financiare, fshehjen e tatimeve, shfrytëzimin joligjor të të dhënave të qytetarëve, keqpërdorimin e detyrës zyrtare etj, sepse ata pas denoncimit përballen me presion të hatashëm psiqik, por jo edhe fizik.
Zëvendësministri i Drejtësisë Olver Ristevski pranon se qytetarët janë pak të informuar rreth ligjit ne fjalë.
“Është fakt se ky ligj kaloi në hije të miratimit të të shumë ligjeve të tjera, siç është ndryshimi i Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, pra duhet të punohet më shumë. Tanimë Qeveria e Maqedonisë po përgatit dhe projekt që qytetarëve t’u tregohet qartë se cilat janë benifititet e pjesëmarrjes së tyre në zbatimin e këtij ligji”, thotë Ristovski.
Nga ana tjetër, Besa Kadriu ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se mekanizmat institucionalë po bëjnë që ky ligj në praktikë të jetësohet me shumë vështirësi.
“Në vendet me demokraci të zhvilluar, personat që kanë informuar për veprime kriminale që kanë hasur apo fishkëllyesit që i kanë bërë zhurmë një situate të padëshirueshme, që ka të bëjë me këtë dukuri të shëmtuar, në çdo formë kanë qenë të mbrojtur nga organet e sigurisë dhe ata sot njihen si figura më të respektuara që kanë kontribuar për shoqërinë. Por kjo nuk vlen në Maqedoni”.
“Ne dimë shumë raste kur gazetarët ose persona të caktuar si kanë përfunduar në situata ku kanë denoncuar indicie, madje edhe fakte për vepra kriminale të drejtuesve të institucioneve”, thotë Kadriu.
Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut, e cila njëherësh është dhe ligjëruese në Fakultetin Juridik të Shkupit për Radion Evropa e Lirë ngre si shqetësim faktin se Ligji për mbrojtjen e informatorëve edhe pse është miratuar në prill, ende asnjë institucion nuk ka ndërmarr veprime konkrete për jetësimin e tij në praktikë.
“Sipas meje nuk mjafton vetëm miratimi i këtij ligji, si një nga kërkesat e BE-së për realizmin e reformave në sistemin gjyqësor, por do të duhet të punohet shumë fillimisht sa i përket propagandimit të tij dhe e dyta se në çfarë mënyre mund të kontribuojnë qytetarët për të luftuar krimin, sepse ata duhet të vetëdijesohen se janë hallka më e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar”, thotë Najçevska.
Ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e informatorëve erdhën pas rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, ku theksohej se mekanizmat institucionalë në praktikë jetësohen me vështirësi.
Koalicioni për mbrojtjen e denoncuesve në Evropën Juglindore dhe Qendra Evropiane për Mbrojtjen e të drejtave të Informatorëve, kohë më parë u ndau “çmimin për lirinë e shprehjes”, dy zyrtarëve të lartë të dikasterit të policisë sekrete maqedonase Gjorgji Llazarevskit dhe Zvonko Kostovskit, të cilët kontribuuan për zbardhjen e aferës së përgjimeve në Maqedoni.
Ndërkaq, autoritetet shtetërore thonë se me ndryshimet e fundit për Ligjin e informatorëve, që përfshinë të gjithë ata që do të demaskojnë shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe aktivitete të ndryshme kriminale, denoncuesve të këtyre krimeve u mundësohet një shkallë e lartë e sigurisë.