Miratimi i ligjit, me të cilin përcaktohen obligimet që shteti i ndërmerr si anëtar i ardhshëm i NATO-s, mbrojtje për të cilën janë të nevojshme dy të tretat e votave, mbetet i bllokuar në procedurë parlamentare pasi për opozitën, siç kanë theksuar, është e papranueshme të ndryshojë emri i Armatës së Shtetit.
Por, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes, thotë se në hapat e fundit të Maqedonisë së Veriut, para anëtarësimit të plotë në NATO, opozita po zhvillon politikë partiake në dëm të interesave të shtetit.
“VMRO DPMNE-ja nuk e kishte të vështirë të votojë për dy ministrat e vet në Qeverinë teknike si ministra të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata dy ministra nuk e kishin të vështirë as edhe të vënë nënshkrimin e tyre në deklaratën solemne. Por, tani kur duhet të vërtetohet anëtarësimi ynë në NATO, me Ligjin për mbrojtje, shpikin gënjeshtra dhe përpiqen ta pengojnë. Mendoj se lajmi se do ta votojnë për Ligjin për ratifikim, është shkaku se e dinë se edhe pa votat e tyre, Ligji për ratifikim do të kalojë dhe e dinë se publiku ynë shumë seriozisht do t’i dënojë nëse nuk e japin votën e tyre për hapin historik të cilin po e bën shteti”.
“Por, për Ligjin e mbrojtjes ku është e nevojshme shumica prej 2/3-ve, duan ta luajnë lojën – do të aktrojmë se jemi për NATO, por do të bëjmë çmos që ta pengojmë anëtarësimin. Jam e sigurt se nuk do t’ia arrijnë. Edhe Ligji për ratifikim është në Parlament, ashtu si dhe Ligji për mbrojtje”, ka theksuar Shekerinska.
*Fotogaleri nga arkivi
Por, pak javë më parë, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickovski, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për ta nuk është kontestues Ligji për mbrojtje, që ka të bëjë me harmonizimin me procedurat e NATO-s, por është kundër nenit në këtë ligj që parashikon ndryshimin e emrit të ARM-së (Armatës së Republikës së Maqedonisë).
“Por, për fat të keq, pushteti deri më tani nuk mblodhi forca që të ndodhë ajo që ne si opozitë e kërkojmë nga pushteti dhe shpresoj se për një kohë shumë të shpejtë do të mbushen me mend dhe do ta kalojmë Ligjin për mbrojtje. Vetëm duhet ta largojnë atë nen, për shkak se ai nen nuk është i nevojshëm me asnjë marrëveshje, siç nuk ishte e nevojshme dhuna e tillë intensive ndaj institucioneve dhe simboleve të tjera, të cilat nuk ishin të parapara në pajtim me dinamikën e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa pushteti vrapoi t’i realizojë gjithë ato dhe tani shohim se (kjo është bërë) për asgjë”, ka thënë Mickoski.
Por, ministrja Shekerinska ka shtuar se me bllokimin e Ligjit për mbrojtje, shteti rrezikon të futet në një zonë gri.
“Qëllimi i ligjit nuk është që t’i definojë emrin Armatës, kjo gjë aspak nuk është çështje, të cilën duhet ta zgjidhë Ligji për mbrojtje. Qëllimi i Ligjit për mbrojtje është që të na japë mundësi ligjore që në rast se na duhet NATO-ja për mbrojtje të sigurisë tonë, të jemi në gjendje ta kërkojmë dhe ta fitojmë atë lloj mbrojtjeje. Nëse NATO-ja ka nevojë për mbështetjen tonë, të jemi në gjendje t’i japim mbështetje. Bllokimi i këtij ligji tregon se VMRO DPMNE-ja ende po përpiqet që të na e ngrijë shtetin në zonë gri, ku do të jenë në pikëpyetje siguria, mbrojtja, anëtarësimi në NATO”.
“Me të vërtetë është turp që këtë arritje historike që duhet të jetë arritje historike e përbashkët, po përpiqen ta anulojnë apo ta pamundësojnë”, ka theksuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Ndërkaq, në pyetjen direkte edhe ndaj liderit të opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, nëse deputetët e kësaj partie do ta votojnë protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO me emrin e ri Maqedonia e Veriut, dhe pse kjo gjë paraqet tani problem për Ligjin për mbrojtje, lideri i opozitës tha se emri i ri shtetit është si rrjedhojë e politikave të gabuara të qeverisjes aktuale.
“Emri me mbiemrin e ri, janë vetëm një lloj rezultati i politikave kapitulluese, të gabuara të Radmilla Shekerinskës dhe të Zoran Zaevit, të Spasovskit dhe të fansave tjerë, të cilët janë rreth Zoran Zaevit. Ndërsa, ne, si parti politike, kemi qëndrim parimor se Maqedonia duhej të ishte pjesë e aleancës së NATO-s që nga viti ’90, kur praktikisht është formuar VMRO-DPMNE”, ka theksuar Mickoski.
Përderisa Albert Musliu, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë, thotë se partia maqedonase VMRO DPMNE, taktizon deri në momentin e fundit, nëse Spanja do të arrijë të ratifikojë protokollin për anëtarësim para se të shpërbëhet Parlamenti i Maqedonisë së Veriut më 12 shkurt, për të përdorur mosndryshimin e emrit të Armatës, si letër patriotike.
“E gjithë kjo situatë është pjesë e fushatës politike. Besoj se edhe VMRO DPMNE-ja është e vetëdijshme se gjithsesi kjo, që ligji të kalojë, do të arrihet. Tani luhet në letrën nëse Spanja do të ratifikojë marrëveshjen (për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO) dhe vendi të bëhet anëtar i plotfuqishëm para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në prill”.
“VMRO DPMNE-ja nuk besoj të rrezikojë që, po qe se kalon ratifikimi në Spanjë, të mos e votojnë këtë ligj në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, sepse kjo në një formë do të nënkuptojë prolongim të anëtarësimit në NATO. Tash kemi të bëjmë me çështje tajming-u të fushatës zgjedhore”, vlerëson Musliu.