Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë miratoi Ligjin për gjuhën shqipe


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE e cila këtë ligj e cilëson si antikushtetues.

Partia shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa, konsideron se ligji në fjalë edhe pse ka marrë votat e 5 deputetëve saj, nuk është as për së afërmi ai për çfarë ishte zotuar kjo parti në Deklaratën e Partive Politike Shqiptare vitin e kaluar.

“Në këso rrethana, me këtë ligj është bërë vetëm një avancim, por shqipja edhe më tej mbetet gjuhë që përkthehet ose prej së cilës duhet të përkthehet. Shteti akoma do të flasë vetëm maqedonisht, ndërsa për nevoja të të kuptuarit, ajo mund të përkthehet. Madje, edhe aty ku nuk ka asnjë maqedonas, shqipja mund të përdoret vetëm nëse dokumenti është bërë maqedonisht. Kjo i bie se shqipja vetvetiu nuk është gjuhë zyrtare, por për nevoja të komunikimit mund të flitet dhe të shkruhet edhe shqip”, tha për Radion Evropa e Lirë, Zeqiria Ibraimi nga Lëvizja Besa.

Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se gjuha shqipe në këtë format ka marrë pozitën më të mundshme që e lejon ligji.

“Ky ligj që ka kaluar është ajo që mund të sigurohej maksimalisht sa i përket zyrtarizmit të gjuhës shqipe. Normalisht se kjo nuk është e mjaftueshme. Në rastin konkret gjuha shqipe do të kishte status të barabartë vetëm kur të ndryshohet kushtetuta. Dhe kjo formë është maksimumi që mund të marrë shqipja si gjuhë zyrtare pa rënë ndesh me gjykatën kushtetuese”, thotë Arben Taravari.

Ndërkaq Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti, konsideron se me ligjin në fjalë mbyllet një pjesë shumë e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit, gjersa lidhja e Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga kryeministri, Zoran Zaev, thotë se ligji për gjuhën shqipe është një nga premtimet parazgjedhore të kësaj partie e cila u realizua në afatin e paraparë.

Sipas dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.

Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare. Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.

Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit. Në rast se kjo ndodhë, atëherë ligji duhet sërish të kthehet në procedurë parlamentare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG