Ndërlidhjet

Zvarritet miratimi i ligjit për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës


Një qese e plastikës e hedhur në një rrugë. Fotografi ilustruese.
Një qese e plastikës e hedhur në një rrugë. Fotografi ilustruese.

Qeset e plastikës, që mbeten mjeti kryesor për mbajtjen e produkteve ushqimore, e që më pas hidhen në natyrë, ka bërë që organizatat joqeveritare, që kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit, të kërkojnë që të hiqen nga përdorimi.

Por, Ligji për menaxhim të paketimit dhe mbetjet e paketimeve, në bazë të të cilit parashihet zgjidhje për reduktimin në tërësi të qeseve të plastikës, tash e disa muaj ka ngecur në procedurë parlamentare.

Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, në fundit e vitit të kaluar, u zotua se deri më 1 janar, 2021 qeset e plastikës do të hiqeshin nga përdorimi, në bazë të Ligjit për menaxhim me paketim dhe mbetje të paketimeve.

Në bazë të këtij legjislacioni, qeset e plastikës duhet të zëvendësohen me qese bio-degraduese, të cilat kushtojnë 10 denarë (20 centë).

Ndryshe, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, që nga 3 korriku ndalohet shitja e qeseve të plastikës, përkatësisht ndalohet shitja e dhjetë llojeve të plastikës që shërbejnë për një përdorim.

Në dyqanet në Maqedoninë e Veriut, qeset e plastikës kushtojnë 1 ose 2 denarë, por shumica e tyre i japin falas këto qese për qytetarët.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se janë të vetëdijshëm që qeset e plastikës e ndotin mjedisin, duke dëmtuar hapësirat e gjelbëruara. Andaj ata thonë se duhet të shmanget përdorimi i qeseve plastike.

“Jam e bindur se qeset e plastikës bëjnë shumë bërllok në tërë qytetin e Shkupit. Lumi Vardar është i mbushur me qese të plastikës”, thotë Vlladanka, që është pensioniste.

Ndërkaq, Ivani, që është student, thotë se qeset e plastikës duhet zëvendësuar me ato që prodhohen nga letra ose pëlhura, pasi janë më ekologjike.

“Do të duhet të shmanget plotësisht përdorimi i plastikës, duhet të përdoren më shumë qeset e letrës, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e BE-së edhe këtu duhet të aplikohet ky standard edhe te ne”, thotë ai.

Përderisa Arben Kamberi, që punon si shitës në një dyqan ushqimor në Shkup, thotë se kur nuk u japin falas qeset qytetarëve, konsumatorët ikin nga dyqani i tyre dhe zgjedhin ndonjë dyqan tjetër, pasi janë mësuar që ato t’i marrin falas.

“Shumica kërkojnë qese falas. Kur ju them se duhet të paguajnë, ata shkojnë tek ato dyqane që u japin qese falas. Nuk mërziten aq shumë për ambientin”, thotë ai.

Organizatat joqeveritare thonë se mbrojtja e mjedisit është një parakusht i domosdoshëm për jetë cilësore.

“Me ngulm kërkojmë që sa më parë të miratohet ligji që rregullon ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës, pasi nuk ka asnjë arsye që kjo gjë të bllokohet në parlament. Por, në të njëjtën kohë duhet të bëhen edhe programe edukative për qytetarët, që të mos e presin në mënyrë shumë të prerë këtë ndalesë, por ata të vetëdijesohen se qeset e plastikës, por edhe ambalazhet e tjera të plastikës, i shkaktojnë dëm të madh ambientit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ngadhënjim Mehmeti nga iniciativa qytetare Eco Guerila.

Ndërkaq, nga iniciativa “Ndal qeset plastike”, thonë se ndotja e mjedisit me ambalazh nga plastika, është problem i nënvlerësuar nga autoritetet shtetërore, pasi ligji që e rregullon këtë çështje, tash e një kohë të gjatë po pret miratimin e kuvendit.

Zdravko Saveski nga kjo iniciativë thotë se politikanët dhe institucionet, me mosveprimin e tyre po dëshmojnë se nuk janë të përgjegjshëm sa i përket mbrojtjes së natyrës.

“Ne më nuk e kemi privilegjin që t’i injorojmë standardet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit jetësor, pasi ndodhemi në mes të një krize klimatike dhe të gjitha palët patjetër duhet të angazhohen që të ndryshohen shprehitë, që të ketë një mbrojtje më të mirë të ambientit”, thotë Saveski.

Organizatat që merren me mbrojtjen e ambientit druajnë se pas zvarritjes së Ligjit për menaxhimin me paketimin dhe mbetjet e paketimeve, fshihet ndikimi i industrisë që prodhon ambalazh nga plastika. Sipas tyre, nëse ky ligj miratohet, kjo industri do të merrte një goditje të madhe.

Analizat tregojnë se në nivel vjetor, në Maqedoninë e Veriut përdoren rreth 150 milionë qese apo rreth 2 mijë tonë plastikë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG