Liga Arabe e ka dënuar ashpër bastisjen policore të Izraelit në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, duke thënë se diçka e tillë e rrezikon stabilitetin rajonal.
Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi emergjent, Liga e ka dënuar atë që e konsideruar “krim të kryer nga forcat pushtuese izraelite kundër besimtarëve të pambrojtur myslimanë”, në xhami.
Bastisjtja pak para agimit, ka “nxitur spirale të dhunës, e cila kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe botë”, është thënë në reagim.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se situata është shkaktuar nga “ekstremistët”, të cilët e kanë barrikaduar veten brenda xhamisë, me armë, gurë dhe fishekzjarre.
Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Aboul Gheit, e ka dënuar bastisjen edhe përmes një deklaratë të ndarë.
“Qasjet ekstremiste, të cilat kontrollojnë politikën e Qeverisë izraelite, do të çojnë në përballje të gjera me palestinezët, në rast se nuk ndalen tani”, ka thënë ai.
Kompleksi i xhamisë Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në Islam.
Kjo hapësirë, që njihet edhe si Mali i Tempullit, është, po ashtu, vend i shenjtë për hebrenjtë.
Edhe në të kaluarën, në këto hapësira ka pasur përleshje në mes të besimtarëve palestinezë dhe forcave izraelite të sigurisë.
Në maj të vitit 2021, bastisjet izraelite kanë kontribuuar në luftën 11-ditore në mes të Izraelit dhe Hamasit – grupit militant islamist, i cili udhëheq Rripin e Gazës.