Ndërlidhjet

Liderët e G7-ës mblidhen për të ruajtur unitetin e Perëndimit


Presidenti amerikan Joe Biden (majtas) dhe kancelari gjerman Olaf Sczhol.
Presidenti amerikan Joe Biden (majtas) dhe kancelari gjerman Olaf Sczhol.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka bërë sërish thirrje për unitet të Perëndimit dhe ka lavdëruar udhëheqësinë e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, para nisjes së Samitit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), në të cilin do të diskutohen sanksionet ndaj Rusisë si pasojë e luftës në Ukrainë.

Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar”, i ka thënë Biden, Scholzit para nisjes së samitit dyditor në Alpet gjermane më vonë gjatë ditës së diel.

Ai ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin, ka shpresuar se “NATO-ja dhe G7 disi do të copëtoheshin, mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë”.

Para nisjes së samitit, zyrtarët amerikanë dhe ata britanikë kanë bërë të ditur se vendet anëtare të këtij samiti do të vendosin ndalesë në blerjet e arit rus, me qëllim të shënjestrimit të elitës ruse.

Takimi i G7-ës është një prej ky samiteve kyçe që do të mbahen në ditët në vijim, derisa lufta e Putinit në Ukrainë, kriza me ushqim dhe karburante pritet të jenë temat kyçe.

Pas takimit të G7-ës, liderët e NATO-s do të mblidhen për një samit në Madrid më 28-30 qershor.

“Dua të të përgëzoj për qëndrimin që keni pasur teksa jeni bërë kancelar”, dhe për “ndikimin që keni pasur në gjithë Evropën sidomos sa i përket Ukrainës”, i ka thënë Biden, Scholzit para gazetarëve.

Edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka dhënë komplimente Scholzit, duke thënë se “nuk e kam menduar kurrë në jetë se do të shoh një kancelar gjerman me një udhëheqësi sikurse të Olaf Scholzit, i cili u ka dërguar armë ukrainasve për të mbrojtur veten”.

Johnson ka përmendur rritjen e pavarësisë nga furnizimet me gazin rus dhe ka thënë se “pasojat e asaj që po ndodh në botë janë të ashpra, mirëpo çmimi i tërheqjes, çmimi i lejimit të fitores së Putinit, të marrjes së territorit të Ukrainës, ai çmim do të jetë shumë shumë më i lartë, dhe secili këtu e kupton këtë gjë”.

Scholz ka thënë në një video adresim më 25 qershor se “lufta brutale e Rusisë në Ukrainë është duke pasur ndikim edhe këtu”, duke përmendur rritjen e cimeve të ushqimeve, gazit dhe energjisë në Gjermani.

Liderët e G7-ës do të diskutojnë edhe çështje tjera, përfshirë inflacionin global, pandeminë e koronavirusit dhe ndryshimet klimatike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG