Ndërlidhjet

Liderët kosovarë në Bruksel: Rekomandimi për liberalizimin e vizave është pozitiv


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës gjatë takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës gjatë takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Lajmi i shumëpritur për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj po paralajmërohet nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve.

Presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj po qëndrojnë në Bruksel, ku në agjendë kishin edhe takimin me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Takimi është zhvilluar gjatë paradites në Bruksel.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kociançiq ka shkruar në rrjetin social Twitter, se takimi me delegacionin e Kosovës është fokusuar në çështjen e dialogut por edhe në liberalizimin e vizave dhe perspektivën evropiane.

Diku rreth mesditës, liderët kosovarë po paralajmërojnë që komisionari Dimitris Avramopulos do të kumtojë edhe vendimin e Komisionit Evropian për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

Pas takimit të delegacionit të Kosovës me Mogherinin, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar në Bruksel se sot Avramopoulos do të japë lajmin pozitiv për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha pas takimit me Mogherinin se pas rekomandimit pozitiv që do të publikohet sot, pastaj pritet që Parlamenti Evropian më 29 apo 30 gusht të rikonfirmojë qëndrimin për liberalizimin, dhe në fund mbetet që edhe Këshillimi i Ministrave ta thotë fjalën e vetë. Për këtë të fundit, Haradinaj tha se “aty është pak më vështirë”.

“Por jemi me shpresën që sot po e përmbyllim një temë që është shumë e rëndësishme për qytetarët e vendit e që është lëvizja e lirë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova do ta marrë raportin pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian.

Në rrjetin social Facebook, Pacolli ka shkruar se ky do të jetë hapi i parë drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Sot është ditë e madhe për Kosovën evropiane. Izolimit të padrejtë për qytetarëve po i vije fundi. Sot do të marrim raportin pozitiv për vizat si hap i parë drejt liberalizimit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Sipas liderëve kosovarë, rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian është hapi i parë që çon deri te vota për liberalizimin në Parlamentin Evropian dhe një miratim nga Këshilli i Ministrave. Nëse këto tri procedura përmbyllen me sukses për Kosovën, atëherë pritjet janë që vendimi përfundimtar të merret diku në fund të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG