Ndërlidhjet

Fajon dhe Hoxha përshëndesin votimin në favor të liberalizimit të vizave nga LIBE


Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe raportuesja e Kosovës për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe raportuesja e Kosovës për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon.

Votimi në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në Komitetin e Lirive Civile të Parlamentit Evropian, i njohur si LIBE, po vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmbylljes së procesit me vendimin final të institucioneve të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se ndjehet e lumtur që Komiteti LIBE ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Përmes një shkrimi në Twitter, ajo e ka cilësuar si hap të rëndësishëm këtë votim që do ta sjellë Kosovën më afër Evropës.

“Jam e lumtur që komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) sapo ka miratuar vendimin për të hyrë në negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm për ta sjellë Kosovën më afër Evropës dhe për të thyer izolimin. Punë e mirë, urime!”, ka shkruar Fajon.

Ndërkaq, ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, nga Brukseli ka përgëzuar qytetarët me rastin e marrjes së vendimit pozitiv për viza, në Komisionin LIBE.

Ministrja Hoxha ka theksuar se “Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së. Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”.

“Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje”, ka theksuar Hoxha.

Kosova, sipas saj, ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti.

“Megjithatë, tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së. Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, ka nënvizuar Hoxha.

Komisioni Evropian ka vlerësuar më 18 korrik se Prishtina i ka plotësuar dy kushtet e mbetura për liberalizim vizash: luftën më të theksuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG