Ndërlidhjet

Lëndohet personeli amerikan pas sulmit me raketë në bazën në Irak


Ushtarët amerikanë në bazën ajrore Al Asad në Irak.
Ushtarët amerikanë në bazën ajrore Al Asad në Irak.

Një pjesë e personelit të ushtrisë amerikane është plagosur në një sulm me raketa në një bazë ajrore në perëndim të Irakut.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane, ka thënë se milici të mbështetura prej Iranit e kanë shënjestruar bazën ajrore Al Asad - ku strehohen trupat ushtarake amerikane - me raketa balistike, në mbrëmjen e së shtunës.

Nuk është specifikuar numri i personelit amerikan që janë duke u vlerësuar nëse kanë përjetuar lëndime traumatike në tru.

Të paktën një pjesëtar i forcave irakiane është plagosur në sulm.

Përgjegjësinë për sulmin në këtë bazë e ka marrë grupi që e quan vetëm Rezistenca Islamike në Irak.

Sipas Institutit të Uashingtonit për Politika në Lindje të Afërt, me bazë në Shtetet e Bashkuara, grupi është krijuar në fund të vitit 2023 dhe përbëhet prej shumë grupeve të armatosura, që janë të lidhura me Iranin, por veprojnë në Irak.

Ky grup e ka marrë përgjegjësinë edhe për sulme tjera kundër forcave amerikane në javët e fundit.

Ushtria amerikane ka thënë se pjesa më e madhe e raketave të nisura të shtunën, janë parandaluar, mirëpo disa i janë shmangur mbrojtjes ajrore dhe e kanë sulmuar bazën.

Ky është vetëm një prej sulmeve të fundit kundër pozicioneve amerikane në Irak dhe Siri nga mbështetësit e Iranit në rajon, prej kur ka shpërthyer lufta Izrael-Hamas, në tetor të vitit të kaluar.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ushtria amerikane dhe aleatët kanë intervenuar edhe për t’i parandaluar sulmet me raketa të rebelëve Huthi në anijet komerciale ndërkombëtare në Detin e Kuq.

Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet e tyre janë solidarizim me palestinezët në Gaza që po përballen me ofensivën izraelite.

Pas sulmeve të Hamasit në Izrael – duke lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë 240 pengje – ushtria izraelite ka nisur ofensivë tokësore dhe ajrore në Gaza, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit.

Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë rreth 25.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG