Ndërlidhjet

Lehtësimi i masave kundër koronavirusit mund të sjellë fluks të migrantëve


Maqedeoni e Veriut: ushtarë duke patrulluar ndërmjet gardhit me tela, afër Gjevgjelisë, në kufirin me Greqinë (Foto nga arkivi 2017).
Maqedeoni e Veriut: ushtarë duke patrulluar ndërmjet gardhit me tela, afër Gjevgjelisë, në kufirin me Greqinë (Foto nga arkivi 2017).

Lehtësimi i masave që kanë të bëjnë me pandeminë e koronavirusit, ka rritur frikën e një fluksi të mundshëm të migrantëve, të cilët, sipas ekspertit për çështje të sigurisë, Lubomir Gjurçevski, mund të shfrytëzojnë lëvizjen e madhe të njerëzve dhe mallrave për të hyrë në Maqedoninë e Veriut.

Kjo, sipas tij paraqet rrezik jo vetëm për paraqitjen e ndonjë varianti të ri të koronavirusit, por edhe për çështje tjera lidhur me akte të ndryshme kriminale.

“Rreziku është i madh. Kemi lëvizje të shumta të njerëzve e mallrave, kemi lëvizje edhe të emigrantëve që vijnë nga vende me rrezik të lartë. Pra, jemi të ekspozuar para rreziqeve. Kjo do të hap rrugën e kalimeve ilegale, kemi nga shumë vende aziatike dhe afrikane. Me lehtësimin e lëvizjes, shumë lehtë ata mund të depërtojnë në vend përmes transporteve të ndryshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lubomir Gjurçevski, ish zyrtar i lartë në Byronë e Sigurisë Publike.

Para dy javësh, Ministria e Punëve të Brendshme kishte ndaluar një shtetas nga një fshat i Shkupit me 13 migrantët ilegalë, kundër të cilit është ngritur padi penale për trafikim me qenie njerëzore. Por, pavarësisht kësaj, nga Ministria e Punëve të Brendshme, thonë se gjendja është nën kontroll.

“Nëse bëjmë një krahasim të periudhës katër mujore të këtij viti, me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi ulje për 17 për qind të tentimeve për hyrje ilegale në Maqedoninë e Veriut. Kjo është si rezultat i punës efikase të MPB-së në parandalimin e kalimeve ilegale dhe masave të tjera për të parandaluar akte të tilla”, thotë zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Por, Lubomir Gjurçevski thotë se masat janë kundërthënëse.

“Institucionet janë shumë kundërthënëse në vendimet e tyre. Në njërën anë kemi vendim të Kuvendit për vazhdimin e gjendjes së krizës në pjesën jugore të vendit edhe për gjashtë muaj, kurse në anën tjetër kemi lehtësim të të gjitha masave për mbrojtje nga pandemia. Janë vendime që nuk korrespodojnë mes veti. Ne nuk guxojmë të jemi kaq shumë liberal, duke e ditur se Maqedonia gjendet në një udhëkryq, dhe se përmes saj kalojnë emigrantë, grupe kriminale e transporte të ndryshme”, thotë Gjurçevski.

Sipas të dhënave të fundit, në qendrën e pranimit të migrantëve në Vizbegë të Shkupit, ndodhen rreth 20 persona, rreth 30 të tjerë janë në Gjevgjeli, qytet ky afër kufirit me Greqinë, prej nga edhe depërtojnë më shumë migrantë si dhe dhjetëra të tjerë në Tabanoc të Kumanovës, pranë kufirit me Serbinë, ku migrantët depërtojnë për të vazhduar rrugën drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Jasmin Rexhepi nga shoqata “Legis”, që kujdeset për migrantët e strehuar në vend, thotë se nuk është i vogël numri i atyre që tentojnë të futen në vend në bazë ditore.

“Numri i personave që ndalohen të hyjnë në Maqedoninë e Veriut, sillet mes 100 dhe 200 në ditë. Ata ndalohen nga organet e rendit dhe kthehen sërish në territorin grek. Mendoj se gjendja nuk është edhe aq alarmante. Mund të ketë ndonjë përkeqësim nëse do të kemi lëvizje nga Turqia drejt Greqisë, për të vazhduar të njëjtit drejt kufirit tonë, por për momentin nuk kemi diçka të tillë”, thotë Rexhepi.

Valën më të madhe të migrantëve, Maqedonia e përjetoi në vitet 2015-2016, kur përmes territorit të saj, kaluan dhjetëra mijëra migrantë nga Siria, Afganistani, Irani dhe vende të tjera aziatike. Në disa raste, pati edhe incidente për shkak të mbylljes së kufijve, ndërsa janë regjistruar edhe vdekje të migrantëve në aksidente të ndryshme, gjatë rrugëtimit të tyre drejt Serbisë, shtet ky i cili së fundi përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut, ka ngritur një gardh me tela gjembor, për të parandaluar hyrjen e migrantëve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG