Ndërlidhjet

PDK e LDK përmendin 31 tetorin si datë potenciale për zgjedhjet lokale


Pamje nga Prishtina.
Pamje nga Prishtina.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë të mërkurën - në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje - se "sa më shpejt që mbahen zgjedhjet lokale, aq më mirë është".

Ai i ka bërë këto komente pas takimit konsultativ që ka zhvilluar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për zgjedhjet e reja lokale në Kosovë.

Kurti ka përmendur se meqë zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur më 22 tetor të vitit 2017, atëherë muaji tetor do të jetë sërish vit i zgjedhjeve në Kosovë.

Pas takimit me Kurtin, Osmani ka takuar edhe udhëheqësit e partive tjera politike.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë se data 31 tetor është e përshtatshme për partinë që ai drejton.

Ai ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor dhe institucionet tjera duhet të kenë mjaft kohë për organizim të procesit zgjedhor.

“Kemi kërkuar si datë kur mund të mbahen zgjedhjet lokale, 31 tetorin e këtij viti. Mendojmë se është brenda afatit kushtetues".

Datë të njëjtë ka përmendur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Tetori është muaj i zgjedhjeve. Ne jemi gati si LDK në çdo datë të zgjedhjeve, për t’u futur në garën zgjedhore, por është rekomandim ynë që 31 tetori, pra fundi i tetorit, do të ishte një datë e përshtatshme, por çdo datë tjetër është e pranueshme që është afër fundit të tetorit”, ka thënë ai pas takimit.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se kjo parti nuk ka parapëlqyer ndonjë datë për mbajtje të këtij procesi, mirëpo për të është e rëndësishme që mandati i kryetarëve aktualë të jetë i plotë dhe që të ketë koordinim ndërpartiak.

Përveç krerëve të partive shqiptare, Osmani ka zhvilluar takime edhe me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe me partitë e komuniteteve joshumicë: Vakat, RI, PAI, KDTP, IRDK, SDU, NDS, JGP dhe LPRK.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komuna të Kosovës, më vonë gjatë këtij viti.

Presidentja Osmani duhet të marrë vendimin për datën e mbajtjes së këtij procesi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG