Ndërlidhjet

Blinkeni flet në telefon me Lavrovin për këmbimin e të burgosurve


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov gjatë takimit në margjinat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Stokholm, Suedi. 2 dhjetor 2021.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov gjatë takimit në margjinat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Stokholm, Suedi. 2 dhjetor 2021.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe i kërkoi Moskës të pranonte ofertën e SHBA-së për lirimin e dy të burgosurve.

Blinken ka thënë të mërkurën se Uashingtoni i ka ofruar Rusisë një marrëveshje që parasheh kthimin në shtëpi të basketbollistes amerikane, Brittney Griner, dhe amerikanit tjetër të burgosur, Paul Whelan.

Kjo ishte biseda e parë e Blinkenit me Lavrovit që para pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.

Blinkeni nuk dha detaje të përgjigjes së Lavrovit, por e përshkroi bisedën telefonike si "të hapur dhe të drejtpërdrejtë" të përqendruar kryesisht në propozimin për lirimin e amerikanëve.

“I kërkova ministrit të Jashtëm Lavrov që të ecë përpara me atë propozim. Nuk mund t'ju jap një vlerësim nëse kjo do të ndodhë”.

Një zyrtar që ka njohuri për këto zhvillime, ka thënë se Qeveria amerikane i ka propozuar Rusisë këmbimin e Whelanit dhe Grinerit, me rusin e dënuar për tregti armësh, Viktor Bout.

Lavrov ka thënë më herët se është i hapur për të diskutuar këmbimin e të burgosruve, ndonëse Ministria e Jashtme nuk ka qenë e përfshirë në diskutimet e kaluara për këtë çështje.

“Do ta dëgjoj se çfarë ka për të thënë”, ka thënë Lavrov.

I pyetur për ofertën amerikane, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se këmbimi i të burgosurve zakonisht negociohet në prapaskenë.

“Ne e dimë se këto çështje diskutohen pa i bërë publike”, u ka thënë Peskov gazetarëve.

“Zakonisht, publiku kupton diçka kur marrëveshjet të jenë arritur”.

Komentet e Blinkenit shënojnë herën e parë që Qeveria amerikane ka folur publikisht se si synon të veprojë për të siguruar lirinë e Grinerit.

Arrestimi i saj ka ndodhur në kohën e tensioneve në rritje mes Moskës dhe Uashingtonit, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Ndalesa prej pesë muajsh për basketbollisten është pritur me shumë kritika nga mbështetësit e saj në Shtetet e Bashkuara.

Në gjyqin për akuza rreth posedimit të drogës, që është mbajtur jashtë Moskës këtë muaj, ajo ka thënë se ka pasur rekomandim të mjekut për përdorim të kanabisit, për të trajtuar dhimbjet që i përjeton për shkak të karrierës që ka.

Whelan është dënuar më 2020 me 16 vjet burgim në Rusi, nën akuzat për spiunim.

Ai mohon se ka qenë i përfshirë ndonjëherë në diçka të tillë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG